LDK e para: Pse doli Abdixhiku më i votuar se Kurti në sondazhin e Nacionales?
Gazeta Nacionale, disa ditë më parë, e hapi një sondazh në faqen e saj në Facebook. Pyetja ishte e thjeshtë: Cilin lider politik do ta votonit po të mbaheshin zgjedhjet të dielen tjetër? Natyrisht, emrat e të gjithë udhëheqësve të partive paralemtare si Kurti, Abdixhiku, Krasniqi e Haradinaj ishin në listë për t’u votuar. Megjithatë, i pari doli Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së, duke e lënë në vend të dytë Albin Kurtin, kryeministër i Kosovës dhe kryetar i LVV-së. Pse doli ky rezultat?
Për këtë rezultat, sigurisht, mund të ketë shumë interpretime të ndryshme. Ky rezultat i LDK-së nuk është shumë befasues, pasi që nga viti i kaluar, LDK-ja ka pasur një rritje të konsiderueshme në sondazhet e kryera nga kompani të ndryshme të matjes së opinionit publik. Pra ka një rikthim të elektoratit të LDK-së në partinë e vjetër, pasi ikjes në vitin 2021, të cilët e votuan me shumicë LVV-në.
Reformimi partiak, duke e bërë kryetar Lumir Abdixhikun dhe larguar klasën e vjetër të LDK-së, me shumë gjasë e ka ndihmuar në këtë sondazh. Si kryetar i LDK-së, Abdixhiku ka mbledhur rreth vetës një ekip të ri, duke e ndryshuar imazhin e partisë së tij, e cila dikur kritikohej gjerësisht për qeverisjet me PDK-në.
Një tjetër arsye mund të jetë edhe zhgënjimi i qytetarëve me LVV-në dhe qeverisjen e saj më shumë se 2-vjeçare. Por, ka edhe një arsye tjetër. Sondazhin e Nacionales ku votuan 17,290 persona, e kanë shpërndarë shumë aktivistë të LDK-së dhe faqe e grupe të afërta me LDK-në si LDK Unike, Peja për të gjithë – LDK e Pavarësia e Kosovës meritë e Ibrahim Rugovës.
Qysh doli sondazhi?
Siç raportoi Nacionale, më i preferuari i qytetarëve në këtë sondazh ishte Lumir Abdixhiku, i cili u rendit i pari. Nëse zgjedhjet do të mbaheshin të dielën e ardhshme, për Abdixhikun do të votonin 35 për qind. Pra Abdixhiku mori 5 mijë e 420 vota në total në sondazhin e Nacionales. Kjo është një ngritje e lartë e LDK-së në raport me zgjedhjet e fundit.
Më keq se Abdixhiku performoi Albin Kurti, që është kryeministër i Kosovës dhe njëkohësisht edhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje. Përkundër që VV-ja në zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021 mori, në sondazhin e Nacionales u rëndit në vendin e dytë, duke marrë 28 për qind të totalit. Pra në sondazhin e Nacionales, Kurti u votua nga 4 mijë e 170 persona.
Ndërsa, Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së, u rëndit i treti në sondazhin e Nacionales, duke marrë vetëm 2 për qind më pak vota se kryeministri Kurti. Më saktësisht, Krasniqi u votua nga 26 për qind e pjesëmarrësve në sondazhin e Nacionales apo 4 mijë e 77 qytetarë.

Në vendin e katërt është rënditur Ramush Haradinaj i AAK-së. Megjithatë, rezultati i Haradinajt është befasues, pasi mori 11 për qind apo 1 mijë e 550 vota në sondazhin e Nacionales. Ky është një rezultat i mirë për AAK-në e Haradinajt, pasi në zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021 kishte marrë pak mbi 6 për qind të votave.

