LDK e kundërshton Kurtin për planin franko-gjerman: Kosovës s’i duhet një marrëveshje që s’ka njohje - NACIONALE

LDK e kundërshton Kurtin për planin franko-gjerman: Kosovës s’i duhet një marrëveshje që s’ka njohje

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Lidhja Demokratike e Kosovës, që është partia e dytë më e madhe opozitare në Kosovë, e ka kundërshtuar pranimin e planit franko-gjerman nga ana e kryeministrit Albin Kurti. Në fakt, në reagimin e tyre, LDK-ja ka treguar qëndrimin e saj për planin e BE-së, të cilin Kurti e cilëson si bazë e mirë.

Sipas partisë së udhëhequr nga Lumir Abdixhiku, Kosovës nuk i duhet një marrëveshje që nuk e përmban njohjen në thelbin e saj. Në botëkuptimin e LDK-së, marrëveshja përfundimare me njohje reciproke është ajo që duhet synuar nga Kosova.

“Kosovës nuk i duhet një marrëveshje bazë që nuk përmban njohjen. Vendit tonë i duhet një marrëveshje përfundimtare që në thelb ka njohjen e ndërsjellë ndërmjet dy vendeve - si shtete të pavarura sovrane.” – thuhet në komunikatën për media të LDK-së.

Tutje, LDK-ja vlerëson e çdo devijim nga ky orientim strategjik është përgjegjësi e pariparueshme e Qeverisë aktuale, duke kërkuar edhe raportim për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“LDK, po ashtu, kërkon raportim të kryeministri në Kuvendin e Kosovës mbi procesin e dialogut. Injorimi i institucionit të përfaqësuesve të popullit nuk i jep legjitimitet asnjë procesi jetik për vendin.” – thuhet tutje.

Pranimi i planit franko-gjerman nga ana e Kosovës, u kuptua nëpërmjet një cicerime të kryeministrit Albin Kurti, i cili e cilësoi drekimin me Lajçakun si “bashkëbisedim të mirë”.

“Bashkëbisedim i mirë me përfaqësuesin special të BE-së, Miroslav Lajcak në një drekë pune në Prishtinë. Ne e pranojmë propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe e konsiderojmë si një bazë të mirë për diskutime të mëtutjeshme, si dhe një platoformë solidë për të ecur tutje.” – shkroi dje, ndër tjerash, Kurti.

Por pak më ndryshe mendon kryetari i Kuvendit të Kosovës, i cili pas një kohe të gjatë është deklaruar për zhvillimet e fundit rreth planit franko-gjerman dhe kërkesave të ndërkombëtarëve për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Konjufca i ka shpjeguar rreziqet e planit franko-gjerman, të cilin kryeministri i Kosovës dhe shefi i tij në LVV, e ka cilësuar si bazë të mirë.

Sipas Konjufcës mangësia e këtij plani qëndron në faktin se aty nuk ka njohje legale të Kosovës nga Serbia. Tutje, kryekuvendari Konjufca vlerësoi se rreziku i dytë është se plani franko-gjerman nuk është marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

“Unë mendoj se janë dy rreziqe për Kosovën. E pse kjo nuk është zgjidhja më e mirë dhe pse është kompromis. Unë po mundohet ta ndajë me juve pse është kompromis. Është kompromis sepse nuk e ka njohjen legale, por është njohje ‘defacto’, pra shtetësia e Serbisë ndaj Kosovës nuk pranohet drejtpërdrejt por në mënyrë të tërthortë, cka i bjen kjo, nuk i bjen që pranohet prej një akti shtetëror të Serbisë por përmes një marrëveshje me BE, pra përmes një rruge të tërthortë pra është vetëm de-facto." - deklaroi Konjufca.

"Dhe rreziku i dytë është se duket se nuk e ka formën e marrëveshjes përfundimtare dhe pastaj kjo do të jetë taktikë e Serbisë me sekuencu në dy hapa. Hapi i parë marrëveshja bazike, kjo që po quhet plani franko- gjerman dhe hapi i dytë rrezikon me na u kriju në momentin kur nashta synohet edhe që të ketë njohje reciproke legale por Kosovës i kërkohet edhe diçka tjetër ma shumë.” – shtoi Konjufca për Ekonomia Online.

Lajme të ngjashme