LDK: Draft-statuti i Asociacionit është një çështje urgjente për trajtim kushtetues, përbën rregullim autonom politik - NACIONALE

LDK: Draft-statuti i Asociacionit është një çështje urgjente për trajtim kushtetues, përbën rregullim autonom politik

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryesia e re e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka ngritur një sërë shqetësimesh për draft-statutin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. LDK ka vlerësuar se drafti përbën “rregullim autonom politik dhe territorial të serbëve të Kosovës”. Në këtë kontekst, kryesia e kësaj partie ka ardhur në përfundimin se kjo është një “çështje urgjente për trajtim kushtetues”.

Në mbledhjen e saj të kryesisë së re, LDK bëri të ditur se u diskutua për planin e punës, planin organizativ të partisë, si dhe për çështjet politike kryesore të vendit.

Në diskutimet për çështjes politike, fokusi kryesor i mbledhjes së kësaj partie ishte draft-statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i propozuar nga “pesëshja evropiane” gjatë vizitës më 21 tetor në Kosovë dhe Serbi.

Pak ditë më pas, gjatë takimeve në Bruksel me tre liderët e BE-së, kryeministri Albin Kurti deklaroi se është pajtuar me propozimin për draft-statutin e Asociacionit.

Në lidhje me draftin e propozuar, LDK paralajmëroi se dokumenti “përbën rregullim autonom politik dhe territorial të serbëve të Kosovës”.

“Në lidhje me procesin e dialogut, Kryesia vlerëson se draft-statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i dorëzuar Qeverisë së Kosovës, përbën qartësisht një rregullim autonom politik dhe territorial të serbëve të Kosovës dhe si i tillë kthehet në një çështje urgjente për trajtim kushtetues.” – thuhet në njoftimin e LDK-së në Facebook.

LDK argumenton se dokumenti, duke u mbështetur në Rezolutën 1244 të OKB-së, “krijon pushtet të ri në territorin e Kosovës dhe zëvendëson Gjykatën Kushtetuese me një sistem arbitrazhi”.

Në këtë kontekst, Lidhja Demokratike ka kundërshtuar çdo “produkt që del jashtë kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës, jashtë sistemit unitar të shtetit tonë, si dhe jashtë rregullimit territorial të tij.”

Më tej LDK ka vlerësuar se “roli i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës është i domosdoshëm dhe vendimtar dhe pret që kjo gjykatë të veprojë në përputhshmëri me normën kushtetuese, kurdo që ta trajtojë këtë dokument.”

Dokumentin e propozuar, LDK e çuan pasojë të “politikave të gabuara të kryeministrit, Qeverisë dhe institucioneve të tjera drejtuese të vendit, si dhe e moskoordinimit me aleatët tanë në fazat më kritike për vendin.”

Në fund, LDK ka bërë thirrje për koordinim me aleatët e shtetit të Kosovës.

“LDK-ja beson fort se koordinimi me kohë i veprimeve me aleatët tanë, në veçanti me SHBA-në, është jetik për funksionimin dhe të ardhmen e vendit tonë. LDK-ja vazhdon t’i mbetet besnike idesë fillestare se dialogu me Serbinë duhet të bëhet për njohje reciproke, se Asociacioni i komunave është obligim i yni dhe se ky obligim ndërkombëtar duhet të realizohet në përputhshmëri të plotë me rendin kushtetues të Kosovës.” – thuhet në fund.

Lajme të ngjashme