LDK: Çdo vendim ekzekutiv pas betimit si deputet përbën shkelje penale dhe duhet të hetohet - NACIONALE

LDK: Çdo vendim ekzekutiv pas betimit si deputet përbën shkelje penale dhe duhet të hetohet

1 vit më parë

nga NACIONALE

Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë në një komunikatë për media se dështimi për të zgjedhur Kryetarin e Kuvendit për herë të dytë dëshmon se "pazaret politike" dhe "shkeljet procedurale" nuk mund të zëvendësojnë vullnetin e lirë të deputetëve.

Kjo parti ka ritheksuar qëndrimin saj “për të mos marrë pjesë në asnjë proces që cenon rendin kushtetues, procedurat demokratike dhe vullnetin e lirë parlamentar.”

Partia e tretë e zgjedhjeve të 9 shkurtit ka paralajmëruar gjithashtu se çdo zyrtar qeveritar që ka bërë betimin si deputet dhe ka vazhduar të marrë vendime ekzekutive pas datës 27 mars, ka vepruar në kundërshtim me ligjin dhe duhet të përballet me pasoja penale.

“Çdo zyrtar i Qeverisë që ka bërë betimin si deputet, duhet ta dijë se çdo vendim i tij ekzekutiv nga 27 marsi bie ndesh me ligjin dhe LDK është e bindur që përbën shkelje penale prandaj dhe duhet të hetohet.”

LDK paralajmëroi më tej se çdo përpjekje për të shtyrë përpara agjenda politike pa siguruar 61 deputetë cenon demokracinë e vendit.

“Së katërti, pavarësisht përpjekjeve të pareshtura për të ndikuar mbi vullnetin e deputetëve përmes presioneve dhe kalkulimeve të dyshimta, realiteti është i qartë: Vetëvendosje nuk i ka numrat. Dhe ky fakt nuk mund të fshihet pas akrobacive procedurale apo improvizimeve parlamentare.

Së pesti, kushdo që pretendon qeverisjen e vendit, duhet të sigurojë minimalisht 61 vota. Çdo përpjekje për të shtyrë përpara agjenda politike pa këtë shumicë përfaqëson cenim të demokracisë dhe shkelje të rregullave të lojës parlamentare.”

Së fundmi, LDK-ja thekson se vendi ka nevojë urgjente për stabilitet institucional dhe legjitimitet të plotë politik.

Pasoja ligjore në rast të çfarë vendimi ekzekutiv nga ish-ministrat, tash deputet të betuar, kanë paralajmëruar edhe nga Partia Demokratike e Kosovës.

“Ne thamë që deklarimet publike në media dhe deklarimi në komision konsiderohen të mjaftueshme dhe kanë fuqi juridike sepse edhe ashtu është jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, për Radion Evropa e Lirë.

Gruda paralajmëroi se nëse këta persona vazhdojnë të ushtrojnë funksionin ekzekutiv pas marrjes së mandatit parlamentar, atëherë kjo do të përbente “shkelje Kushtetuese.”

Deputetët e rinj të Kuvendit të Kosovës dhanë betimin sot, pasi Komisioni për Verifikimin e Mandateve konfirmoi legjitimitetin e tyre.

Seanca u pezullua dy herë për shkak të refuzimit fillestar të opozitës për të votuar raportin e komisionit për arsyen se, sipas tyre, ministrat në detyrë synuan të mbanin dy postë njëkohësisht, atë të ministrit dhe të deputetit – çka ata e konsideruan të papranueshme dhe në kundërshtim me parimet kushtetuese.

Lajme të ngjashme