Vuçiq thotë se mëngjesin e së enjtes do të fillojë heqja e barrikadave
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se barrikadat do fillojnë të hiqen mëngjesin e së enjtes, pasi sipas tij, “serbët ia pranuan propozimin.
Radio Evropa e Lirë raporton se Vuçiq, pas takimit në Rashkë me serbët nga Kosova, ka thënë se barrikadat hiqen deri pas 48 orëve.
“Për 24 orë apo 48 orë do të hiqen barrikadat.” – ka thënë ai.
Kosovo-Online ndërkaq, citon Vuçiqin të ketë thënë se “i la serbët të marrin vendimin e tyre”.
“I kam lutur, i kam lënë vetëm të marrin një vendim dhe më pas më kanë dorëzuar atë që kanë hartuar në barrikada. Serbët nuk besojnë në institucione.” – ka thënë Vuçiq.
Ai tutje ka vazhduar: “Barrikadat do të largohen, por jo edhe mosbesimi”.
Largimin, e konfirmoi edhe presidentja Osmani
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani mbrëmjen e së mërkurës ka thënë se është çështje orësh largimi i barrikadave, duke thënë se nëse nuk ndodhë kjo, “do të ketë veprim të menjëhershëm”.
Osmani në “Rubikon” ka deklaruar se barrikadat do të largohen, “pas koordinimit me aleatët e vendit”.
“Por mund të them se pikërisht për shkak të kooridnimeve me aleatët tanë, është çështje orësh heqja e barrikadave, dhe nëse nuk largohen ato, do të ketë veprim të mënjehrshëm të dakorduar, të institucioneve tona.” – tha ajo.
