Lajçak paralajmëron për punën e Kallas dhe Sorensen: Po përgatitet një pozicion i BE-së, propozim për Kosovën e Serbinë - NACIONALE

Lajçak paralajmëron për punën e Kallas dhe Sorensen: Po përgatitet një pozicion i BE-së, propozim për Kosovën e Serbinë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Diplomati sllovak, emisari në largim i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka paralajmëruar një pozicion dhe një plan të ri për të dyja palët, që do t’u paraqitet nga kryediplomatja e re evropiane, Kaja Kallas dhe pasardhësi i tij, Peter Sorensen.

Fillimisht, Lajçak ka përmendur fushatën zgjedhore në Kosovë:

“Kemi një analizë shumë të mirë të situatës, dhe e dijmë shumë mirë që, sidomos nga vjeshta e vitit të kaluar, që kur Kosova hyri në fushatën zgjedhore, që na duhet të merremi me çështje konkrete. Kemi pasur tre takime me kryenegociatorët gjatë vjeshtës dhe dimrit”.

Në një intervistë për “RTS”, ai ka thënë se po përgatitet një pozicion i BE-së dhe një propozim për të dy palët, por që nuk mund të jepen më shumë detaje aktualisht.

“Jemi ulur për disa orë dhe kemi folur shumë specifikisht për një numër çështjesh. Publiku nuk sheh shumë nga kjo, dhe e di që takimet e liderëve janë ato më atraktivet. Jemi duke u përgatitur që BE-ja të nis bisedimet në nivelin më të lartë pas zgjedhjeve në Kosovë. Përfaqësuesja e re e Lartë për Politikë të Jashtme, Kaja Kallas, e ka bërë të qartë se ajo do të përfshihet direkt dhe se dëshiron ta drejtojë procesin. Po përgatitet një pozicion i BE-së, një propozim për të dy palët. Nuk mund, normalisht, të them më shumë detaje rreth kësaj tani. Pasardhësi im, Peter Sorensen, i cili është një diplomat me eksperiencë dhe e njeh Ballkanin shumë mirë, do të jetë aty për ta ndihmuar Kaja Kallas në këtë punë – tha ai.

Lajçak u pyet edhe rreth ndikimit të mundshëm të presidentit amerikan, Donald Trump në këto bisedime.

“Nuk do të doja të spekuloja. Është e qartë se “Trump 2” do të jetë ndryshe nga” Trump 1”, puna është e organizuar shumë më mirë, njerëzit e dijnë se çfarë duan të arrijnë. Prandaj, eksperiencat nga administrata paraprake nuk mund të transferohen në mënyrë mekanike” – tha ai fillimisht.

“E dyta, ka vetëm një perspektivë positive për Ballkanin, dhe ajo është perspektiva evropiane. Amrikanët, demokratët dhe republikanët, e dijnë këtë, ata kurrë nuk e kanë mohuar rolin e tyre për të ndihmuar. Pres që kjo të vazhdojë edhe në muajt në vazhdim.

Është e rëndësishme të vendosen kontakte në nivelet e BE-së dhe SHBA-së sa më shpejt të jetë e mundur dhe të arrihet një marrëveshje për një qasje të përbashkët ndaj Ballkanit Perëndimor, ku BE-ja duhet të udhëheqë, për arsye objektive, por të jetë në gjendje të mbështetet në mirëkuptimin e ShBA-së” – shtoi diplomati sllovak.

Lajme të ngjashme