Lajçak: Këtë javë do të mbahet takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për personat e zhdukur në Bruksel - NACIONALE

Lajçak: Këtë javë do të mbahet takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për personat e zhdukur në Bruksel

1 vit më parë

nga NACIONALE

Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave do të mbahet takimi i parë i Komisionit të përbashkët për Personat e zhdukur. Kjo marrëveshje ishte arritur gjatë një takimi në dhjetor të vitit të kaluar mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë.

“Përsëri në Bruksel, fokusi i kësaj jave do të jetë tek Personat e Zhdukur me takimin e parë të Komisionit të Përbashkët.” – ka bërë të ditur Lajçak.

I dërguar i BE-së, Mirosllav Lajçak ka përmbledhur punën e tij gjatë javës, duke përmendur vizitën në SHBA dhe takimin me Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Jim O’Brien dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Sasha Kasanof

“Misioni im i parë i vitit më çoi në SHBA. Në Uashington D.C., u angazhova në diskutime të hollësishme me Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Jim O’Brien dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Sasha Kasanof. Së bashku, ne u thelluam në sfidat dhe mundësitë gjeopolitike me të cilat përballet rajoni, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe nevojën për të avancuar në Dialogun e Normalizimit”, ka shkruar ai në Facebook.

Më tej, ai ka takuar edhe Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së António Guterres dhe zyrtarë të të tjerë ku është diskutuar për Ballkanin Perëndimor.

“Udhëtimet e mia më çuan më pas në Nju Jork, ku pata diskutime thelbësore me lidershipin në SHBA. Një shkëmbim i detajuar me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së António Guterres na lejoi të shkëmbejmë mbi dinamikat rajonale, ndërsa takimi im me nënsekretaren e përgjithshme të OKB-së Rosemary DiCarlo përforcoi nevojën për përpjekje shumëpalëshe të koordinuara mirë për të mbështetur Ballkanin Perëndimor në rrugën e tij drejt integrimit evropian.” – ka thënë ai.

Ndërkohë për formimin e Komisionit të përbashkët personat e pagjetur, Kosova dhe Serbia ishin pajtuar gjatë takimit më 17 dhjetor 2024 në Bruksel pas takimit të kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, me atë të Serbisë Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të BE-së, Mirosllav Lajçak.

Për marrëveshjen ishte deklaruar edhe Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjeturit, Andin Hoti.

Ai kishte treguar se si do të funksionojë ky Komision.

“Komisioni i Përbashkët, i kryesuar nga Bashkimi Evropian, do të jetë trupa më e lartë që do të ketë përgjegjësinë për mbikëqyrjen dhe sigurimin e zbatimit efektiv dhe në plotësi të Deklaratës së Personave të Zhdukur. Njëkohësisht, do të shërbejë si platformë, ku më në fund do të mund të adresojmë të gjitha shqetësimet tona sa i përket ngecjeve në proces dhe mosadresimit adekuat të këtyre ngecjeve apo pengesave; përfshirë këtu mungesën e bashkëpunimit të Serbisë në Grupin Punues dhe refuzimin për të hapur arkivat përkatëse”

“Shpresojmë që ky hap të shërbejë si një moment përparimi drejt zgjidhjes përfundimtare dhe të shumë vonuar të fatit të personave të zhdukur dhe lehtësimit të dhimbjes së familjeve të tyre, të cilat për shumë kohë kanë pritur drejtësi dhe të vërtetën.” – kishte shkruar ai në Facebook.

Kujtojmë se në Kosovë janë ende rreth 1 mijë e 300 persona të zhdukur nga lufta e fundit.

Lajme të ngjashme