Hoti: Në Bruksel është miratuar formimi i Komisionit të Përbashkët për zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur
Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjeturit, Andin Hoti, ka thënë sot në Bruksel është miratuar formimi i Komisionit të Përbashkët që do të mbikëqyrë zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur.
Kjo marrëveshje vjen pas takimit të kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, me atë të Serbisë Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të BE-së, Mirosllav Lajçak.
Reagimi i tij:
Pas tre vitesh dialog, bisedimesh të vazhdueshme dhe tendencave të pajustifikueshme për zvarritje nga ana e Serbisë, sot në Bruksel është miratuar formimi i Komisionit të Përbashkët që do të mbikëqyrë zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur. Ky hap përbën një moment të rëndësishëm në adresimin e shqetësimeve tona lidhur me këtë çështje kaq të ndjeshme dhe të rëndësishme për familjet dhe shoqërinë tonë.
Komisioni i Përbashkët, i kryesuar nga Bashkimi Evropian, do të jetë trupa më e lartë që do të ketë përgjegjësinë për mbikëqyrjen dhe sigurimin e zbatimit efektiv dhe në plotësi të Deklaratës së Personave të Zhdukur. Njëkohësisht, do të shërbejë si platformë, ku më në fund do të mund të adresojmë të gjitha shqetësimet tona sa i përket ngecjeve në proces dhe mosadresimit adekuat të këtyre ngecjeve apo pengesave; përfshirë këtu mungesën e bashkëpunimit të Serbisë në Grupin Punues dhe refuzimin për të hapur arkivat përkatëse.
Shpresojmë që ky hap të shërbejë si një moment përparimi drejt zgjidhjes përfundimtare dhe të shumë vonuar të fatit të personave të zhdukur dhe lehtësimit të dhimbjes së familjeve të tyre, të cilat për shumë kohë kanë pritur drejtësi dhe të vërtetën.