Lajçak informon Borrellin, pritet së shpejti takim për Asociacionin - NACIONALE

Lajçak informon Borrellin, pritet së shpejti takim për Asociacionin

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë për Radion Evropa e Lirëse ndërmjetësi sllovak për dialogun Kosovë-Serbi, pas përfundimit të takimeve në Prishtinë dhe Beograd, e ka informuar Përfaqësuesin e Lartë të BE’së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ndërsa ky i fundit ka nisur të informojë vendet e anëtare të unionit për hapat e ardhshëm.

Stano është pyetur edhe rreth draft-Statutit për Asociacionin e Komunave të banuara me shumicë serbe për të cilin kryeministri shqiptar Edi Rama njoftoi se ua ka dërguar Parisit dhe Berlinit zyrtar. Ai tha se “secili kontribut konstruktiv në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, në kuadër të të cilit është duke u diskutuar edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, është i mirëseardhur”.

“Përfaqësuesi i lartë është në kontakt të vazhdueshëm me liderët në rajon dhe me shtetet anëtare të BE-së. Siç kemi thënë disa herë në të kaluarën, diskutimet dhe draftimi i statutit të Asociacionit/Bashkësisë mund të zhvillohet vetëm në kornizën e dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, theksoi Stano.

Stano, mes tjerash, bëri të ditur se më 5 dhe 6 qershor Bashkimi Evropian e kishte paraparë zhvillimin e një sesioni të parë në nivel ekspertësh për draftimin e Asociacionit dhe se palët kishin pasur ftesa, por se tensionet e krijuara në pjesën veriore të vendit e pamundësuan atë takim.

“I dërguari i posaçëm i BE-së është i gatshëm të organizojë takimin e draftimit shumë shpejt dhe është në kontakt me të dyja palët”, theksoi Stano.

Ndërkaq, REL thotë të ketë mësuar “nga burimet diplomatike në Bruksel mësohet se vendet anëtare të Bashkimit Evropian janë informuar për vizitën që Mirosllav Lajçak dhe kolegu i tij amerikan, Gabriel Escobar, kanë pasur gjatë kësaj jave në Prishtinë dhe Beograd. Detyra e tyre ishte të përçojnë kërkesat për uljen e tensioneve në veri dhe rikthimin në dialog”.

Sipas këtyre burimeve, nga ana e Qeverisë së Kosovës kanë shprehur gatishmërinë që të bisedohet për masat drejt shtensionimit të situatës, por, siç thuhet, kryeministri Albin Kurti ka hezituar të pranojë kërkesën për heqjen e menjëhershme të policisë speciale nga objektet komunale.

Po ashtu, sipas të njëjtave burime, “pala kosovare nuk i ka refuzuar kërkesat, por përshtypja është se nuk po nxiton”.

Lajmi në përditësim...

Lajme të ngjashme