“Shkëmbyem shënime”, Lajçak flet për zgjedhjet në veri, VV-ja nis fushatën - NACIONALE

“Shkëmbyem shënime”, Lajçak flet për zgjedhjet në veri, VV-ja nis fushatën

3 vjet më parë

nga NACIONALE

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë - Serbi, Miroslav Lajçak, ka shprehur shqetësimin e tij për zhvillimet e fundit në Veri të Kosovës, duke theksuar se ka shkëmbyer shënime në lidhje me zgjedhjet atje, me institucionet relevante. Në anën tjetër, Vetëvendosje ka nisur fushatën në rrjete sociale për 4 komunat veriore, duke thënë se numri i tyre (114) është numri i fitores për këto komuna. Ndërsa dje u dogjën edhe disa vetura në këtë pjesë të vendit. Çka po ndodhë?

Në një postim në Facebook, Lajçak ka thënë se BE-ja pret nga Kosova dhe Serbia që të fokusohen në normalizimin e marrëdhënieve.

Tutje ai ka thënë se ka zhvilluar bisedë telefonike produktive me partnerët në terren. Më tej ai ka njoftuar se ka diskutuar çështjet e sigurisë me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ristuccia, përfshirë incidentet e fundit me barrikadat.

Siguria ishte gjithashtu në fokus të takimit të tij me shefin e EULEX-it, ambasadorin Wigemark. Lajçak tha se u diskutua për zhvillimet e fundit në Dialog dhe situatën rreth targave, si dhe zgjedhjet e ardhshme dhe zhvillimet e tjera në veri të Kosovës.

Lajçak tha se kjo javë në Bruksel ishte relativisht e qetë për të, duke i dhënë mundësinë të punojë në dokumente të rëndësishme për zbatimin e marrëveshjeve të Dialogut dhe të hulumtojë më thellë në zhvillimet dhe gjendjet aktuale në rajon. Megjithatë, ai tha se disa nga këto zhvillime janë shqetësuese dhe pritet që palët të jenë plotësisht të fokusuar në normalizimin e marrëdhënieve.

I dërguari i BE-së për dialogun gjithashtu njoftoi se u takua me deputetin e Parlamentit Evropian, Matjaž Nemec, për të diskutuar perspektivat e tyre për ecurinë e Dialogut dhe çështjet e Ballkanit Perëndimor më gjerë në Parlamentin e BE-së. Ai theksoi rëndësinë e shkëmbimit të pikëpamjeve për të qëndruar të përditësuar mbi zhvillimet më të fundit.

Postimi i plotë:

Kjo javë në Bruksel ishte relativisht e qetë për mua, gjë që më dha mundësinë të punoj në dokumente të rëndësishme për zbatimin e marrëveshjeve të Dialogut dhe të thellohem më thellë në zhvillimet dhe gjendjet aktuale në rajon. Fatkeqësisht, disa nga këto zhvillime janë shqetësuese dhe presim që palët të jenë plotësisht të fokusuara në normalizimin e marrëdhënieve.

U takova gjithashtu me deputetin e Parlamentit Evropian, Matjaž Nemec, për të diskutuar perspektivat tona për ecurinë e Dialogut dhe çështjet e Ballkanit Perëndimor më gjerë në Parlamentin e BE-së. Është gjithmonë e dobishme të shkëmbeni pikëpamje për të qëndruar të përditësuar mbi zhvillimet më të fundit. Mezi pres t'i drejtohem Komitetit Drejtues Willy Brandt të Grupit S&D së shpejti.

Kam pasur edhe biseda telefonike produktive me partnerët tanë në terren, duke kuptuar më mirë gjendjen shpirtërore dhe zhvillimet në veri të Kosovës. Diskutova çështjet e sigurisë me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ristuccia, duke përfshirë incidentet e fundit në postblloqe. Siguria ishte gjithashtu në fokus të takimit tim me shefin e EULEX-it, ambasadorin Wigemark.

Diskutuam zhvillimet e fundit në Dialog dhe situatën rreth targave, si dhe shkëmbyen shënime për zgjedhjet e ardhshme dhe zhvillimet e tjera në veri të Kosovës. Gjithashtu pata mundësinë të informoj Përfaqësuesen Speciale të Sekretarit të Përgjithshëm për Kosovën dhe Shefen e Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Caroline Ziadeh, për progresin në Dialog përpara konferencës së saj të rregullt në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

VV me fushatë

Kryeministri i vendit Albin Kurti, së bashku me ministrin e Pushtetit Lokal Elbert Krasniqi e minstrin e Brendshëm Sveçla takuan katër kandidatët e Vetëvendosjes për komunat, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan e Leposaviq.

Kurti nga aty bëri thirrje për zgjedhje të qeta e demokratike. Në postimin e shpërndarë në Facebook, nga Vetëvendosje thuhet se numri i saj (115) është numri i fitores për komunat atje.

Zgjedhjet pritet të mbahen më 23 prill, teksa Lista Serbe nuk do të marrë pjesë e nën trysninë e incidenteve që po ndodhin ditëve të fundit.

Postimi i VV-së:

115 është numri i fitores për katër komunat në veri të Republikës tonë!

Sot, Kryetari i Lëvizjes, njëherit Kryeministri, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Sekretarin e Përgjithshëm të LVV, Alim Rama, Kryetarin e LVV në Mitrovicë, deputetin Armend Muja, dhe anëtar të shtabit zgjedhor të LVV në Mitrovicë, takoi katër kandidatët e VETËVENDOSJE!-s që me numrin 115 po garojnë në zgjedhjet që do të mbahen në katër komunat në veri të Republikës tonë.

Erden Atiqin, kandidatin më të votuar shqiptar në zgjedhjet e fundit lokale atje, që sërish kandidon për veriun e Mitrovicës.

Flatron Hasanin që kandidon për Zubin Potok.

Fetah Pecin që kandidon për Zveçan.

Dhe, Lulzim Hetemin që kandidon për Leposaviq.

Kurti si Kryeministër ndau besimin e tij që ky proces zgjedhor do të kaloj ashtu siç duhet dhe i ka hije një procesi demokratik, qetë e pa incidente, me pjesëmarrje të lirë e të lartë të qytetarëve në komunat veriore.

Duke u dëshiruar fushatë zgjedhore të mbarë dhe të suksesshme, si Kryetar i Lëvizjes, ai i siguroi katër kandidatët e subjektit tonë për mbështetje të fuqishme nga organizata jonë për këto zgjedhje që do të mbahen të dielën e ardhshme me 23 prill.

Numri 115 është numri i fitores tonë, numri i kandidatëve tanë që do të udhëheqin në katër komunat veriore të vendit tonë.

Vazhdojnë incidentet

Shefi i Stafit të Presidentes Vjosa Osmani, Blerim Vela, ka njoftuar dje se janë djegur 3 vetura në mëngjesin e së shtunës në veri të vendit. Nacionale kontaktoi zëdhënësin e Policisë për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani, i cili e përgënjeshtroi pjesërisht këshiltarin e Presidentes, duke thënë se në fakt ishin “dëmtuar” 2 vetura.

Në llogrinë e tij në "Tëitter", Vela ka treguar se si ka ndodhur incidenti. Sipas tij, tri makina të tjera janë djegur sot.

“Vazhdon fushata kriminale e djegies së veturave në veri të Kosovës! Tri makina të tjera janë djegur sot herët në mëngjes. Strukturat ilegale të Serbisë tani po targretojnë serbët vendas që ata konsiderojnë se po bashkëpunojnë me institucionet. Çdo autor do të dalë para drejtësisë!” – shkroi Vela.

Por, për të njejten ngjarje version pak më ndryshe pati Polcia e Kosovës. Veton Elshani zëdhënës i Policisë për rajonin e Mitrovicës së Veriut i ka thënë Nacionales, se bëhet fjalë për “dëmtim” të dy makinave dhe jo tri.

Madje, Policia konfirmon se asnjëra nga veturat nuk ishte me tabela "RKS".

Janë dëmtuar dy vetura. Nuk janë tri. Në vendin e ngjarjes ka dalur Policia, aty kanë qenë tri vetura, por dy janë dëmtuar e jo tri. Madje asnjëra prej tyre nuk i ka pasur tabelat RKS.” – ka thnë Elshani për Nacionalen.

Lajme të ngjashme