"Kërkesat e ShBA'së u flakën tutje”, “Zgjedhje të reja vetëm pasi ligji të jetë në vend”: Beteja në distancë mes Kurtit dhe Escobar në BBC - NACIONALE

"Kërkesat e ShBA'së u flakën tutje”, “Zgjedhje të reja vetëm pasi ligji të jetë në vend”: Beteja në distancë mes Kurtit dhe Escobar në BBC

10 muaj më parë

nga Xhezair Dashi

Të dy ishin në një linjë në emisionin e mëngjesit në radio të BBC World Service, por nuk bashkëbiseduan. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe I Dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escoabr, dhanë tablot e tyre për ngjarjet në veri – tablo krejtësisht të kundërta. T’i lexojmë të bashkëvendosura...

Përpjekjet tona për t’u bashkërenduar me Qeverinë e Kosovës u flakën tutje (Rebuffed)”, i tha Gabriel Escobar BBC-së, ku tregoi se “është për të ardhur keq” që pala kosovare “nuk dëgjoi” këshillat dhe kërkesat e Shteteve të Bashkuara.

Escobar, u shpreh se, “e kemi sinjalizuar Albin Kurtin” paraprakisht në atë se çfarë i kërkon ShBA-ja: “Të tërheq kryetarët nga ato ndërtesa komunale; të heq policinë kosovare nga ndërtesat komunale; e më pastaj urgjentisht, urgjenisht, të niset puna drejt themelimit të Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe”.

Por, Kurti, i cili qëndronte në linjë dhe dëgjonte diplomatin amerikan kah artikulonte kërkesat amerikane, pati përgjigje për këtë, përkatësisht duke mos pasur përgjigje.

Nëse kryetarët s’janë brenda aty, kush duhet të jetë? Dhe, nëse këto ndërtesa nuk janë për kryetarët, kujt t’i shërbejnë? Kryetarët janë në zyrat e tyre dhe kështu duhet të jetë dhe të vazhdojë të jetë”, u kundërpërgjigj Kurti në pyetjen e parë të intervistuesit i cili bisedën e nisi me përgjigjen e fundit të Escobar-it.

BBC në bisedë me Kurtin vërejti: Kjo nuk është gjuhë e dikujt që duket se është i gatshëm të bëjë kompromis!. Këtu Kurti ia ktheu:“Kompromis nuk mund të bëj me Republikë demokratike, duke qenë kryeministër i vendit më demokratik në i Ballkanit Perëndimor 6-shtetësh me policinë më profesionale”.

Sa i përket ndërtesave dhe largimit të Kryetarëve nga atje, Kurti la të kuptohet që nuk është gjë që bëhet. “Janë pronë e Republikës”, u shpreh ai, ndërsa shtoi se “Në këto ndërtesa ne mund të zvogëlojmë numrin e forcave policore por së pari turma e dhunshme, që lëndoi policinë tonë, gazetarët dhe ushtarët e NATO-s duhet ose të kthehen në Serbi, ose këtu në burg”.

Të khehemi te Escobar-i. Ky i fundit tensionet në veri, në rend të parë ia faturoi Kosovës në insistimin me doemos “për diçka simbolike” të instalonte tre kryetarët “që Kurti na kishte garantuar se nuk do të ushtrojnë pushtete më shumë se administrative...sa për të kryer shërbime bazike komunale”.

Ky përshkallëzim pjesërisht erdhi si rezultat i mungesës së vullnetit nga pala e Kosovës për të dëgjuar komunitetin ndërkombëtar të mos provokojë pa nevojë tensione duke ngulur që me doemos të përdoren ndërtesat komunale; dhe ka ndërtesa tjera që mund të përdoren”, shtoi ai.

Këtu, Escobar, me ç’duket, i replikoi Kurtit, i cili në një intervistë për The Guardian, përveç që kishte vënë në pikëpyetje gjykimin e shëndosh të Anthony Blinken, Sekretarit amerikan të Shtetit (duke e quajtur naiv) i kishte thënë Escobar-it se në Kosovë “nuk mund të ketë kryetarë komunash në Zoom”.

Nëse një gjë e kemi mësuar nga Covid-i është që mund të punojmë edhe nga largësia”, tha Escobar në BBC.

Është e rëndësishme që njëherë të ndërtohet besimi i ndërsjellë mes komuniteteve para se diçka e njëanshme të bëhet; dhe është për të ardhur keq që përpjekjet tona për t’u koordinuar me qeverinë kosovare u flakën tutje (rebuffed)”, tha Gabriel Escobar.

Qysh në rend të parë, u shpreh diplomati, “nuk pati nevojë të përnjëmendtë për ta që të hynin në ato ndërtesa; nuk kanë vlerë të përnjëmendtë si karriga të ushtrimit të pushtetit”.

Por, doli që ishte një testim vullneti mes atyre që nuk deshtën që kryetarët e rinj të hynë në zyre dhe mes atyre që insistuan që të jenë aty për arsye simbolike. Në këtë kuptim ishte krejtësisht e shmangshme. Po, dua të them se ka një element fajësie në palën tjetër, në kuptimin e një pjese të dhunës që iu drejtua KFOR’it, por të dyja palët kanë përgjegjësi për të thyer këtë cikël”, shtoi ai.

Kurti u pyet nga BBC se “a nuk shqetësohesh” për dënimet ndërkombëtare që i kanë ardhur që nga e premtja, për çka përgjigje nuk dha, por vazhdoi të tregojë se sa të rëndësishëm janë aleatët perëndimor për Kosovën.

Në këto ndërtesa ne mund të zvogëlojmë numrin e forcave policore por së pari turma e dhunshme, që lëndoi policinë tonë, gazetarët dhe ushtarët e NATO-s duhet ose të kthehen në Serbi, ose këtu në burg”, tha ai.

Nuk mund t’ua dorëzojmë Republikën tonë demokratike milicisë fashiste që po paguhet nga një autokrat në Beograd, që ishte ministër i propagandës së Sllobodan Millosheviqit”.

Sa i përket zgjedhejve të reja në katër komunat veriore të vendit, Kurti tha se “jam i gatshëm të dëgjojë propozime” por “vetëm pasi të kemi vendosur sundimin e ligjit në vend”./Nacionale/

Lajme të ngjashme