"Ky ligj i jep kompetenca të mëdha drejtorit": Gërvalla insiston se Byroja vetëm mbledh informata "të besueshme" - NACIONALE

"Ky ligj i jep kompetenca të mëdha drejtorit": Gërvalla insiston se Byroja vetëm mbledh informata "të besueshme"

2 muaj më parë

nga NACIONALE

Komisioni për Legjislacion miratoi në lexim të parë Projektligjin për Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, duke rikthyer sërish debatin e vjetër.

Ligji vjen pas rrëzimit nga Gjykata Kushtetuese, ndërsa qeveria pretendon se versioni i ri i adreson gjetjet antikushtetuese.

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, e përfoli projektligjin si themelor për reformën në drejtësi.

“Përmes këtij projektligji vendosim standard të qartë dhe të pakontestueshëm që nuk do të ketë tolerancë ndaj pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme”, deklaroi ajo.

Ajo insiston në rolin teknik të këtij institucioni të ri.

“Byroja nuk konfiskon. Ajo mbledh, verifikon dhe analizon informacionin”, tha Gërvalla.

“Vendimi për konfiskim merret nga gjykata”, shtoi ajo, duke theksuar ndarjen e kompetencave.

Ajo garantoi edhe mbrojtjen e të drejtave procedurale.

“Ky projektligj garanton të drejtat e palëve... përfshirë qasjen në dokumentacion, të drejtën për t’u dëgjuar dhe mjetet juridike”, u shpreh ajo.

Në fund, ajo përsëriti qëllimin politik të ligjit.

“Çdo pasuri e pajustifikueshme... do të rikthehet tek shteti dhe qytetarët”, deklaroi Gërvalla.

Por opozita e sheh ndryshe këtë projekt.

Kryetari i Komisionit, Përparim Gruda, kritikoi thelbin normativ të draftit.

“GjK e ka thanë qartë... që nuk mundet me akte nënligjore”, tha ai, referuar kompetenca të lëna te drejtori i kësaj Byroje që ai të ketë në dorë prodhimin e procedurave të konfiskimit.

Ai paralajmëroi për tejkalim kompetencash nga ekzekutivi.

“Ajo i jep pushtet të madh drejtorit të Byrosë... me prodhu procedura që kanë karakter material”, deklaroi Gruda.

Ai kërkoi kufizim të qartë të udhëzimeve administrative.

“Udhëzimet administrative duhet të rregullojnë vetëm aspekte teknike, e jo përmbajtësore”, theksoi ai.

Deputeti Besnik Tahiri e vendosi debatin në një kornizë më të gjerë kushtetuese.

“Janë dy probleme thelbësore në këtë koncept”, tha ai.

“Parimi i kushtetutshmërisë dhe siguria juridike”, shtoi Tahiri.

Ai insistoi në rëndësinë e procesit të konsultimit publik.

“Procesi i konsultimit publik në këtë ligj është jetik, dhe obligativ”, deklaroi ai.

Sipas tij, legjitimiteti i ligjit varet nga përfshirja.

“Ligji ka kuptim vetëm kur buron prej atyre që janë hisenikë të procesit”, u shpreh Tahiri.

Ai dha një paralajmërim të drejtpërdrejtë.

“Mos krijoni instrument që rrëzohet në Gjykatë Kushtetuese”, theksoi ai.

Deputetja Blerta Deliu ngriti dyshime për qëllimin dhe kohën e miratimit.

“Këtu s’janë adresu të gjitha gjetjet e GjK-së”, deklaroi ajo.

Ajo kritikoi procedurën e përshpejtuar me të cilën po e shtyn pushteti.

“Pse me procedurë të përshpejtuar këtë në Kuvend?”, pyeti Deliu.

Deliu shkoi më tej, duke ngritur akuza politike.

“A është argument që kjo qeveri po themelon byro politike... për gjueti shtrigash?”, deklaroi ajo.

Nga ana tjetër, shumica mbrojti draftin.

Deputeti Vigan Qorrolli vlerësoi procesin e hartimit.

“Ky ligj ka pasur dorë të fortë profesionale”, tha ai.

“Është i vlefshëm”, shtoi Qorrolli, duke insistuar në përmbushjen e standardeve.

“Do të respektojmë të gjitha që ka përmendur Gjykata”, deklaroi Gërvalla.

“...nuk është i nevojshëm diskutimi i sërishëm publik”, shtoi ajo.

Lajme të ngjashme