Kuvendi si studio televizive, shtohet prezenca e audiove-incizimeve në seanca - NACIONALE

Kuvendi si studio televizive, shtohet prezenca e audiove-incizimeve në seanca

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Legjislatura e tetë e Kuvendit të Kosovës ka sjell disa risi. Në këtë mandat, përveç debateve të drejtpërdrejta, deputetët po polemizojnë mes vete edhe përmes audio-incizimeve.

Deri me tani disa herë ka ndodhur që deputetët e opozitës kur kanë marrë fjalën përmes telefonave kanë lëshuar me audio qëndrimet e zyrtarëve të qeverisë, përfshirë ato të kryeministrit Albin Kurti, raporton gazeta Nacionale.

Edhe ky i fundit, në një seancë është munduar të bëj të njëjtën gjë, por nuk ia arritur krejtësisht qëllimit.

Ndryshe nga Kurti në e javës se kaluar, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, lëshoi një audio për ta kritikuar PDK-në.

Në përpjekje për ta akuzuar partinë më të madhe opozitare se ka dashur t`i fal krimet e luftës, ajo në foltoren e kuvendit ka lëshuar përmes telefonit një audio ku ish-ministrit i Drejtësisë nga radhët e PDK-së, Hajredin Kuçi, fliste për këtë çështje.

Për krime lufte s’e kisha dënu asnjë njeri. Kisha bë amnisti. Sepse për mua çmimi më i madh për luftën është liria dhe pavarësia”, thotë Kuçi në audion e lëshuar nga Haxhiu në Kuvend.

Reagimi i ministres Haxhiu kishte ardhur pasi deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, kishte kritikuar Qeverinë e Kosovës për Deklaratën për Personat e Pagjetur.

Në fund të adresimit të saj, deputetja Hoxha kishte lëshuar këngën e saj për personat e zhdukur gjatë luftës.

Edhe kryeministri lëshon audio në Kuvend

Në seancën e Kuvendit ku raportonte për dialogun Kosovë-Serbi dhe takimin e 27 shkurtit në Bruksel, ai përdori disa terme që kishin të bënin me propozimin e BE-së, por të cilat nuk mund t`i shqiptonte mirë.

Më pas, ai nga telefoni i tij lëshoi një audio për të dëgjuar se si shqiptohej një fjalë gjermane.

Ky nocion është konceptualisht dhe lideralisht në origjinal i quajtur gjermanisht ‘Vergangenheitsbeëältigung’. Tash aksenti im është padyshim jo i duhuri. Po jua lëshoj një audi se si thuhet kjo fjalë në gjermanisht”, ka thënë kryeministri Kurti.

Në të njëjtën seancë, e cila kishte zgjatur deri në orët e vona të natës, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ia kishte lëshuar një audio të gjatë kryeministrit Kurti.

Audio e deputetes Musliu përmbante pjesë të fjalimeve të Kurtit, i cili e kundërshtonte dialogun me Serbinë sa ishte në opozitë.

Pas audios, deputetja e PDK-së kishte akuzuar Kurtin se kishte shkelur të gjitha premtimet në raport me këtë proces.

"Çfarë po bën sot Albin? Dreqi të hëngërt nuk e le asnjë qershi pa ngrënë, asnjë qershi nuk do me lënë. Pse more Albin? Doja të them shumë gjëra sot por nuk po di cilit Albin ti flas e cilit Albin ti bëj pyetje”, kishte thënë Musli.

Me audio-incizim ishte përballur edhe zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ia kishte lëshuar audion ku Bislimi gjatë një interviste thotë se në momentin që Qeveria ndryshon qëndrimin ndaj Asociacionit, ai do të largohet nga pozita e tij.

“Meqë injoranca, ofendimet, gënjeshtrat janë argumentet e tua më të fuqishme, sot kam vendosë që të ballafaqojë me veten dhe pres qëndrimin tënd: ‘Në atë moment kur Qeveria e Kosovës e ndryshon qëndrimin për asociacion edhe thotë do të krijohet asociacioni qoftë edhe me kompetenca jo ekzekutive, Besnik Bislimi nuk është më në dialog’. Cili është qëndrimi juaj sot?”, kishte pyetur Musliu-Shoshi.

Ndaj pyetjes se deputetes, Bislimi kishte reaguar i ndervozuar duke e fyer atë.

Faleminderit për pyetjen dhe përkujdesin maksimal të përcillni çdo detaj të intervistave të mija në vazhdimësi. Po ashtu është e pakuptimtë epshi juaj për të marrë vëmendje publike por është e pa rëndësishme”, kishte deklaruar Bislimi.

Një fenomen i tillë nuk është parë shpesh në Kuvendin e Kosovës.

Vetëm në kohen kur VV-ja ishte në opozitë kishte ndodhur që në sallën e Kuvendit të lëshohet audio të tilla. Gjatë një seance parlamentare, VV-ja kishte lëshuar me audio aferën “Pronto”.

Lajme të ngjashme