Kuvendi shkarkon Kryesuesen dhe dy anëtarët e Bordit për Miniera dhe Minerale
Kuvendi e shkarkon Kryesuesen e Bordit për Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, si dhe dy anëtarët e këtij bordi.
Partia në pushtet Lëvizja Vetëendosje, e ka shtyrë përpara këtë shkarkim, me 60 vota pro.
Ndryshe, deputetët opozitar ishin mjaft të zëshëm, në lidhje me menaxhimin që Qeveria (s)’e ka bërë me Trepçën.
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka reaguar në Kuvendin e Kosovës lidhur me grevën e minatorëve.
Shala ka thënë se Qeveria e Kosovës i ka mashtruar minatorët.
“Në Minierën e Trepçës po vazhdon sot dita e tretë e grevës. Minatorët në thellësi prej 700-800 metra sot kanë kërkesa elementare sociale, ekonomike e menaxheriale. Kanë kërkesë që të kenë siguri në punë, t’i gëzojnë pagat e meritueshme, të ndryshojnë një menaxhment joligjor dhe jofunksional. Të gjitha kërkesat e minatorëve i mbështesim sepse janë legjitime. I bëj thirrje Qeverisë që të reflektojë sepse situatën e kemi në përkeqësim të skajshëm”, është shprehur Shala para deputetëve.
Deputeti i PDK-së ka thënë se asnjë nga institucionet shtetërore nuk i ka vizituar minatorët, ndërsa ka pyetur se “pse Qeveria po frikësohet të komunikojë me ta?”.
“Ku është Qeveria sot kur minatorët janë në grevë. Asnjë nga institucionet e shtetit nuk i ka vizituar. Pse Qeveria frikësohet të komunikojë me minatorët apo është e vetëdijshme se i ka mashtruar keq dhe thellë? I ka mashtruar sepse iu ka premtuar investime, zhvillim e rivitalizim dhe sigurti në punë. Por, asnjë nga këto nuk i ka përmbushur”.