Kuvendi i thotë “po” marrëveshjes me Danimarkën për burgjet: Çka përfiton Kosova nga kjo ujdi? - NACIONALE

Kuvendi i thotë “po” marrëveshjes me Danimarkën për burgjet: Çka përfiton Kosova nga kjo ujdi?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kuvendi i Kosovës ka votuar sot Marrëveshjen me Danimarkën për Shfrytëzimin e Institucionit Korrektues në Gjilan me Qëllim të Ekzekutimit të Dënimeve Daneze.

Me 86 vota ‘për’, 7 ‘kundër’ dhe asnjë ‘abstenim’, Kuvendi i ka thënë “po” ujdisë në mes të dy shteteve, e cila është nënshkruar në maj të vitit 2022.

Përveç deputetëve të pozitës, marrëveshja është votuar edhe nga deputetët e PDK-së dhe AAK-së. Kjo marrëveshje nuk është përkrahur nga LDK-ja.

Sipas kësaj marrëveshje, në Kosovë pritet t’i kryejnë dënimet rreth 300 të burgosur danezë. Kjo marrëveshje ka afat 10-vjecar dhe gjatë kësaj kohe Kosova do të përfitojë nga shteti danez rreth 200 milionë euro.

Marrëveshje e cila kishte dështuar të miratohet javën e kaluar, para deputetëve është prezantuar nga Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Qëllimi është forcimi i mëtutjeshëm i marrëdhënieve ekzistuese të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Danimarkës, duke marrë parasysh zhvillimet pozitive në sistemin e shërbimit korrektues në Republikën e Kosovës, si dhe përfitimet që Republika e Kosovës do t'i ketë nga ky traktat”, ka thënë Rizvanolli.

Pas ratifikimit të kësaj marrëveshje, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka falënderuar deputetët e Kuvendit të Kosovës që sot e kanë votuar Marrëveshjen me Danimarkën për shfrytëzimin e burgut të Gjilanit.

Ajo ka bërë me dije se kjo marrëveshje është një dëshmi e besimit dhe respektit reciprok mes dy vendeve.

Falënderoj deputetët e Kuvendit të Kosovës për miratimin e kësaj Marrëveshje të dobishme për Republikën e Kosovës. Kjo marrëveshje është një dëshmi e besimit dhe respektit reciprok mes dy vendeve tona. Ajo do të sjellë përfitime të ndërsjella dhe do të hapë dyer të reja për bashkëpunime të ardhshme”, ka shkruar Haxhu në profilin e saj në “Facebook”.

LDK-ja kundër kësaj marrëveshjes

LDK-ja që nga fillimi e ka kritikuar këtë marrëveshje. Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, edhe sot është deklaruar kundër saj,

Ajo ka kërkuar një përgjigje nga kryetari i Gjilanit lidhur me këtë marrëveshje.

Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, duhet të tregojë se a është pro që të burgosurit, kryesisht të huaj që jetojnë në Danimarkë, të vijnë në Gjilan për të kryer burgun. Sepse partia në pushtet që është partia prej të cilës vjen Alban Hyseni pasiqë ka dështuar të sjellë investime në Kosovë e po bën përpjekje për të sjellë të burgosur nga vendet e BE-së. Qytetarët e Gjilanit dhe të Kosovës nuk kanë nevojë për t’i kthyer hapësirat publike në burgje për të huajt”, ka shkruar ajo në profilin e saj në “Facebook”.

Sipas saj, kjo marrëveshje do të dëmtojë imazhin e Kosovës.

Kosova do të kthehet në vend atraktiv për investime të huaja sapo me votë qytetare të largohet qeveria që mashtroi se do të ndërtojë 160 çerdhe, do të ulë çmimin e rrymës, do të ulë çmimet e vajit, sheqertit e miellit. Kjo Qeveri do të mbahet në mend për urën e Staradranit dhe lëshimin me qera të objekteve për të burgosurit e huaj. Edhe për 240 milionë euro tenderë njëburimor - korrupcion masiv”, ka shkruar ajo.

Lajme të ngjashme