Kuvendi i Kosovës nderon kontributin dhe figurën e Qosjes: Zë i fuqishëm që zgjodhi të vërtetën
Kuvendi i Kosovës, me një seancë solemne, ka nderuar kontributin dhe figurën e Rexhep Qosjes.
Në këtë seancë, Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, vlerësoi kontributin e Qosjes në kulturën dhe mendimin shqiptar, duke theksuar rolin e tij në ndërtimin e vetëdijes historike dhe intelektuale.
“Njëri nga njerëzit që e shndërroi kulturën shqiptare në hapësirë mendimi, polemike dhe vetëdije dhe përgjegjësie historike. Rexhep Qosja jetoi dhe krijoi në një kohë kur shqiptarëve u kërkohej vazhdimisht ta dëshmonin gjuhën, historinë, përkatësinë dhe të drejtën e tyre politike. Kësaj kohe ai u përgjigj me vepra, me studime, polemika, qëndrime publike dhe me një disiplinë intelektuale që rrallë shihet në jetën tonë publike. Ai e ndërtoi mendimin e tij mbi vlerat e Rilindjes Kombëtare, mbi trashëgiminë iluministe evropiane, mbi humanizmin dhe mbi figurat që shqiptarëve u dhanë drejtim historik. Si shkrimtar ai dëshmoi se letërsia mund të jetë njëkohësisht art dhe ndërgjegje. Në veprat e tij artistike, e solli njeriun përballë frikës, pushtetit, padrejtësisë dhe dilemave të kohës sonë. Akademik Qosja e nxori studimin e letërsisë shqipe nga kufijtë e një disipline të ngushtë dhe e lidhi me pyetjen më të madhe të kohës së tij: si mbahet gjallë vetëdija e një populli të ndarë, të shtypur dhe të detyruar të mbrojë edhe gjuhën, edhe historinë, edhe të drejtën e vet politike”, tha ajo.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Glauk Konjufca, ka vlerësuar figurën dhe veprën e akademikut Rexhep Qosja gjatë seancës së veçantë të mbajtur në Kuvendin e Kosovës në nderim të tij.
“Ai ishte një nga intelektualët, shkrimtarët, veprimtarët më të rëndësishëm të kombit tonë. Çdo krijues përshkohet nga një princip suprem qëllimor i cili është forca e vërtetë shtytëse e veprimtarisë së tij. Por cili ishte principi i Qosjes? Elani i tij ishte liria kombëtare. Prandaj gjithçka që prodhoi e ka formën e luftës kundër shtypjes. E lufta është strategji. Bazamenti i saj i parë, shtresa e themelit, është vetëdija. Mbi të pastaj ndërtohet e sigurt ngrehina e shtetit kombëtar. Në këtë kuptim, me të drejtë u tha edhe këto ditë që ai është rilindësi i fundit. Qosja besonte se, duke qenë një komb i rrënjosur në gjuhë, unifikimi gjuhësor i shqiptarëve ishte procesi i domosdoshëm i unitetit të vetëdijes kombëtare”, tha ai.
Vlerësim të lartë për Qosjen pati edhe kryetari i PDK-së, Bedri Hamza.
“Ne nuk e humbëm vetëm një njeri të dijes, e humbëm një institucion të mendimit kritik. E humbëm një tribun të fjalës së lirë dhe një ndërgjegje që nuk pranonte të heshtte. Dhe pikërisht sepse nuk heshti kurrë, ai do të vazhdojë të dëgjohet edhe në të ardhmen. Akademik Rexhep Qosja nuk ishte vetëm një rrëfimtar i kohës së tij. Ai ishte gjykatës i saj. Nuk ishte vetëm shpjegues i letërsisë, historisë apo politikës, por sfidues i tyre. Nuk ishte as produkt i rrethanave kohore, por ishte kundërshtim i tyre. Dhe në një mjedis që shpesh njeriu kërkon rehatinë, ai zgjodhi shqetësimin. Në një politikë që shpeshherë kërkonte kompromise, ai zgjodhi të vërtetën. Dhe në këtë shoqëri që shpesh harron, ai zgjodhi kujtesën. Këto ishin, këto nuk ishin zgjedhje të lehta, ishin zgjedhje me çmim të lartë”, tha ai.
E shefja e grupit parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, e quajti Qosjen zë të fuqishëm në debatin shqiptar.
“Jemi mbledhur për të nderuar jetën dhe veprën e akademikut Rexhep Qosja, një prej figurave më të rëndësishme të mendimit, letërsisë dhe kritikës shqiptare. Akademik Qosja ishte një intelektual, studiues i përkushtuar dhe një zë i fuqishëm në debatin publik shqiptar për më shumë se gjysmë shekulli. Ai ishte ndër të parët doktorë të shkencave filologjike në Kosovë dhe një nga kontribuuesit kryesorë në zhvillimin e studimeve albanologjike në vendin tonë. Si profesor i Universitetit të Prishtinës dhe drejtues i Institutit Albanologjik, ai la gjurmë të pashlyeshme në formimin e brezave të tërë studiuesish e studentësh. Veprat e tij shkencore e letrare, me dhjetëra libra e vepra në fusha të ndryshme, nga historia e letërsisë te kritika dhe romani, përbëjnë një trashëgimi të çmuar për kulturën shqiptare. Veprat e tij dhe studimet mbi letërsinë shqiptare e vendosën atë në mesin e figurave kyçe të mendimit letrar shqiptar, ndërsa veprat e tij u përkthyen në shumë gjuhë dhe u bënë pjesë e debatit ndërkombëtar kulturor. Akademik Qosja ishte studiues dhe një mendimtar kritik që e shihte letërsinë si pasqyrë të shoqërisë, historisë dhe identitetit”, tha ajo.
Nga AAK-ja, Besnik Tahiri tha se Qosja nuk u dorëzua kurrë.
“Se liria dhe pavarësia dhe shteti që gëzojmë sot i ka rrënjët thellë në sakrificë, në punë, e në veçanti në intelektualë të fuqishëm të kombit tonë të cilët nuk u dorëzuan dhe punuan në kohët më të vështira të Jugosllavisë e Serbisë. Ndaj vërtetë na e tregon shkrimtari që nuk do të vdesë kurrë, akademiku Rexhep Qosja. Pse e them këtë dhe pse jemi te ky konkluzion që jemi në këtë mbledhje këtu? Ka njerëz që jetojnë brenda kohës së tyre, por të tretun me kohën. Por ka edhe të tillë që e kanë kapërcyer kohën, që nuk mbeten vetëm kujtim, por bëhen vetëdije, një prani e gjallë në ndërgjegjen e një kombi, në këtë rast kombit tonë shqiptar. Në këtë kuptim qëndron akademik Rexhep Qosja jo thjesht si një emër, por si një mendim që vazhdon dhe do të vazhdojë të jetojë përtej vetes. Intelektuali dhe shkrimtari i vërtetë nuk është ai vetëm që e përshkruan kohën, por ai që e ka guximin intelektual me folë dhe me e sfiduar kohën. Fjala e tij asnjëherë nuk ka qenë vetëm tekst, por gjithmonë ka qenë një akt. Nuk ishte vetëm një reflektim i një rrethane, mirëpo ishte një qëndrim; qëndrim prej intelektuali, mirëpo edhe qëndrim politik. Ajo nuk kërkon pëlqimin, por gjithmonë zgjimin. Dhe në këtë zgjim, lexuesi dhe dëgjuesi nuk mbetej kurrë i njëjtë. Ata përballen me të vërtetën, me historinë që e përshkruante akademik Qosja, mirëpo po ashtu me përgjegjësinë ndaj tij”, tha ai.