Kushti i pushtetit: VV-ja këmbëngul se Kurti s’jep dorëheqje, e kërkon shpërndarjen e Kuvendit
Tashmë një gjë është e sigurt: kryetema e ditëve të fundit është ideja e zgjedhje të parakohshme. Ka një kohë që flitet për zgjedhje të reja, por pushteti dhe opozita ende nuk kanë arritur asnjë dakordim për rrugën drejt zgjedhjeve. Pushteti, më saktë VV-ja, ka një kusht për opozitën: Albin Kurti nuk jep dorëheqje nga pozita e kryeministrit, siç ia kërkon PDK-ja, partia më e madhe opozitare.
Kurti e përkrahu idenë e shpërndarjes së Kuvendit, duke bërë që vartësit e tij në qeveri e parti të “betonizohen” në këtë ide. Në fakt, shpërndarja e Kuvendit e jo dorëheqja e Kurtit mund të thuhet se është “politika zyrtare” e VV-së për rrugën drejt zgjedhjeve.
Albulena Haxhiu, ministre e Drejtësisë, ka folur për kërkesën e opozitës për zgjedhje të parakohshme. Në RTK, Haxhiu ka theksuar se pushteti është i gatshëm për zgjedhje nëse dëshiron opozita.
“Më së vështirë është më thënë diçka në të cilin nuk beson as vet. Në kuptimin që këta po thonë po duam zgjedhje, por në fakt nuk është ajo çfarë ata duan. Ndoshta mendojnë që duke e vazhduar mandati i qeverisë tonë në kuptimin e përmbylljes së mandatit tonë sipas asaj që e njeh Kushtetuta katër vjeçar, ata mund të zvogëlohen edhe më shumë” – tha ajo fillimisht.
Megjithatë, Haxhiu e ripërsëriti kushtin e VV-së, duke kërkuar që të shpërndahet legjislatura e tanishme e Kuvendit të Kosovës, si formë për të shkuar drejt zgedhjeve.
“Për neve të dielën e ardhshme, sot jemi të enjten, të dielen, por s’është e mundshme, të mbahen zgjedhjet nuk ka fare problem. Kur do që duan opozita, mundemi të shkojmë në zgjedhje. Me dashtë opozita me shku në zgjedhje, e kishin votuar shpërndarjen e Kuvendit. Një herë thojshin po duam të shkojmë në zgjedhje, e përmendshin edhe shpërndarjen e Kuvendit. Kur kryeministri iu tha “po more, gjithe grupin parlamentar e ke” për shpërndarjen e Kuvendit. Po thonë “jo duhet dorëheqja e kryeministrit”. Për çka?...Natyrisht që jo (nuk do të ketë dorëheqje v.j.). Kryeministri duhet me dhënë dorëheqje kur nuk përfaqëson interesat e qytetarëve, kur korruptohet, kur përfshihet në skandale, kur nuk arrin me i shty përpara, nuk ka vullnet me i shty përpara çështjet i ka premtu, ama kjo është e kundërta e asaj që po bën kryeministri Kurti” – tha ajo.
E pyetur për datën 9 qershor, të cilën e propozoi PDK-ja si datë të zgjedhjeve të parakohshme, ministrja Haxhiu tha:
“Kur ta kenë ata parasyshë, do ta kem edhe unë. Kurdo që ata e vlerësojnë me shku në zgjedhje, le ta votojnë shpërndarjen e Kuvendit. Nuk ka mundësi me dhënë dorëheqje kryeministri Kurti”.
Sjellim ndër mend që Kurti e ka rithkesuar në dy raste se VV-ja do ta përkrahte nismën për shpërndarjen e Kuvendit. Megjithatë, Kurti e ka bërë të qartë se nuk do të japë dorëheqje.
“Mirëpo, nëse opozita është e interesuar që të mos i kemi 12 muaj në vitin e fundit por t’i kemi më pak muaj, atëherë jemi të gatshëm të ulemi dhe ta bëjmë shpërndarjen e kuvendit, por jo ta rrëzojmë qeverinë. Të shkojmë në zgjedhje të reja me shpërndarje të kuvendit. Qeveria s’ka pse të rrëzohet kur është e mbarë dhe e mirë”, tha Kurti.