Kushtetuesja heq klasifikimin e popullsisë jorezidente në Maqedoni të Veriut - NACIONALE

Kushtetuesja heq klasifikimin e popullsisë jorezidente në Maqedoni të Veriut

1 vit më parë

nga Col Mehmeti

Gjykata Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut ka shfuqizuar disa prej dispozitave të Metodologjisë së Regjistrimit të 2021-s për sa u përket klasifikimeve për popullsi “rezidente” dhe “jorezidente”.

Sipas kësaj instance, një cilësim i tillë nuk është në përputhje me vlerën thelbësore të sundimit të ligjit në rendin kushtetues të vendit.

Në vlerësimin e Kushtetueses, Zyra Statistikore e Shtetit e ka tejkaluar autoritetin e vet duke sjellë klasifikime të tilla me anë të një akti nënligjor, pa e pasur mandatin ligjor për një gjë të tillë.

Sidoqoftë, vendimi nuk do të zbatohet në prapaveprim për regjistrimin e kryer më 2021.

Ai hyn në fuqi sapo të publikohet në Gazetën Zyrtare dhe do të vlejë për aktet nënligjore që merren në të ardhmen.

“Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se kreu i Zyrës Statistikore të Shtetit e ka tejkaluar autoritetin e vet dhe përmes një akti nënligjor (Metodologjia) solli klasifikimin në popullatë rezidente dhe jorezidente, për çka nuk kishte autorizim ligjor për një gjë të tillë, meqë Ligji për Regjistrimin e Popullatës, Shtëpive dhe Vendbanimeve nuk parasheh klasifikim të popullsisë përmes një akti nënligjor,” është thënë në vendimin e Gjykatës.

Regjistrimi i 2021-s ishte bërë pas 19 vitesh, duke e bërë Maqedoninë njërën nga vendet e vetme në Evropë dhe botë vonesa kaq të gjata në regjistrimin e popullatës.

Në të dhënat e këtij cenzusi doli se shqiptarët në popullatën e përgjithshme kanë një përqindje prej 29.52 për qind kundrejt maqedonasve që kanë rezultuar 54.21 për qind.

Sidoqoftë, për shkak të migrimit masiv, shqiptarët si popullsi rezidente në Maqedoninë e Veriut kanë rezultuar vetëm 24.30 për qind kundrejt 58.44 maqedonas.

Kjo ishte si pasojë e faktit që si popullsi rezidente në Maqedoni të Veriut u deklaruan plot 258.932 persona. Prej tyre, pjesa më e madhe ose 66.36 për qind rezultuan shqiptarë dhe vetëm 24.45 maqedonas.

Lajme të ngjashme