Kushtetuesja e shpall të papranueshme kërkesën e Osmanit për emërimet në KQZ: A do t’ia emërojë PDK-së anëtarin e dytë? - NACIONALE

Kushtetuesja e shpall të papranueshme kërkesën e Osmanit për emërimet në KQZ: A do t’ia emërojë PDK-së anëtarin e dytë?

4 muaj më parë

nga NACIONALE

Gjykata Kushtetuese ka shpallur të papranueshme kërkesën e presidentes Vjosa Osmani, e paraqitur në lidhje me emërimin e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pasi në procesin e propozimeve partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, kishte kërkuar tre anëtarë. Në arsyetimin e saj, Gjykata thekson se kërkesa nuk i përmbush standardet e nevojshme për t’u shqyrtuar, duke vlerësuar se nuk janë plotësuar kushtet e përcaktuara me aktet juridike përkatëse.

Çështja është riaktualizuar pasi VV-ja, duke u thirrur në rezultatin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, i ka dërguar Presidencës tre emra për emërim në KQZ, me pretendimin se i takojnë tri ulëse. Kjo ka hapur sërish debatin për interpretimin e nenit 139 të Kushtetutës, i cili përcakton përbërjen e këtij institucioni.

Sipas Kushtetutës, gjashtë anëtarë të KQZ-së emërohen nga gjashtë grupet më të mëdha parlamentare që përfaqësojnë subjektet politike shqiptare, ndërsa katër vende u takojnë komuniteteve. Në rrethanat aktuale, kur në Kuvend kanë hyrë katër subjekte politike shqiptare, hapet dilema se si duhet të ndahen dy vendet e mbetura dhe nëse ato i takojnë vetëm partisë më të madhe apo edhe grupit tjetër më të madh parlamentar.

Pikërisht për këtë paqartësi, presidentja Osmani kishte kërkuar nga Gjykata një vlerësim paraprak për rastet kur në Presidencë arrijnë më shumë propozime sesa lejon korniza kushtetuese. Ajo kishte kërkuar interpretim për “konfliktit në mes të kompetencave kushtetuese sipas nenit 113 (3) (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, në ndërlidhje me emërimin e anëtarëve të KQZ-së, si dhe “vlerësimi preventiv i konfliktit të kompetencave në rastin kur Presidentja pranon më shumë propozime për emërim të anëtarëve në KQZ nga grupet parlamentare, sesa që është e përcaktuar me Kushtetutë”.

Megjithatë, Gjykata ka vlerësuar se kërkesa nuk i plotëson kushtet për shqyrtim.

Në vendimin e Gjykatës thuhet: “Duke marrë parasysh që konflikti i kompetencave, në rrethanat e rastit konkret, është ngritur përkitazi me një kompetencë të Presidentes dhe e cila nuk është përcaktuar me Kushtetutë, por me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, Gjykata, bazuar në pikën 1 të paragrafit 3 të nenit 113 të Kushtetutës dhe praktikës së saj gjyqësore thekson se konflikti i kompetencave nuk është ngritur përkitazi me “kompetenca kushtetuese” të Presidentes dhe për pasojë, nuk është plotësuar kriteri i dytë kushtetues në kontekst të ngritjes së “konfliktit të kompetencave kushtetuese” për Presidentin, Kuvendin dhe/ose Qeverinë. (shih, rastin KO88/21, cituar më lart, paragrafi 72)”.

Po ashtu, në vendim thuhet edhe se: “Rrjedhimisht, në vlerësimin e Gjykatës në rrethanat e rastit konkret, Presidentja e Republikës, ndonëse është palë e autorizuar që të ngritë çështje të konfliktit të kompetencave kushtetuese në mes të saj dhe Kuvendit, nuk ka ngritur para Gjykatës konflikt të “kompetencave kushtetuese”, sipas përcaktimeve të nënparagrafit 1 të paragrafit 3 të nenit 113 të Kushtetutës, dhe për pasojë, Gjykata shpall kërkesën e Presidentes së Republikës së Kosovës të papranueshme”.

Çka tha Kushtetuesja në vitin 2021?

Kjo nuk është hera e parë që përbërja e KQZ-së kthehet në përplasje politike e juridike mes Osmanit dhe VV-së. Një situatë e ngjashme ishte krijuar edhe në vitin 2021, kur Vetëvendosje kishte kërkuar po ashtu tri ulëse në KQZ pas fitores së saj zgjedhore.

Edhe asokohe, rezultatet ishin të njëjta për Lëvizjen Vetëvendosje, e cila kishte fituar mbi 50% të votave dhe në Kuvendin e Kosovës ishin 4 grupe parlamentare shqiptare (LVV, PDK, LDK dhe AAK).

Partia e Kurtit kishte dërguar te presidentja Osmani 3 emra për anëtarë në KQZ.

Menjëherë pas kësaj, Osmani nuk kishte miratuar kërkesën e VV-së, por iu kishte drejtuar për interpretim Gjykatës Kushtetuese.

Nga Kushtetuesja, Osmani kishte kërkuar të dijë se “cili është kriteri mbizotërues për të vendosur nëse dy (2) anëtarët shtesë të KQZ-së duhet të emërohen nga grupi më i madh parlamentar apo nga disa grupe parlamentare, sidomos kur një grup parlamentar ka fituar mbi 50% të votave në zgjedhje” dhe “nëse duhet të reflektohet parimi i proporcionalitetit (numri i deputetëve të një grupi parlamentar në raport me të tjerat) për të vendosur nëse dy (2) anëtarët shtesë në KQZ i takojnë vetëm një grupi apo disa grupeve parlamentare”.

Gjykata Kushtetuese e kishte hedhur poshtë si të papranueshme kërkesën e Osmanit për interpretim të nenit 139, me arsyetimin se nuk ka ngritur para Gjykatës konflikt të kompetencave kushtetuese.

Pas kësaj, Osmani kishte vendosur që partisë së Kurtit të mos i ndaheshin 3 ulëse në KQZ, por vetëm 2 të tilla.

Pas aktgjykimit të Kushtetueses, Osmani kishte emëruar anëtarin e dytë të PDK-së në KQZ dhe një anëtar tjetër nga radhët e komuntietit boshnjak.

Sipas njoftimit të presidentes Osmani, të datës 30 korrik 2021, vendimi kishte ardhur pas analizimit të aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Afati i partive politike për dërgimin me shkrim të propozimeve për anëtarë të KQZ-së në Presidencë ka përfunduar pasditen e 16 marsit.

Gazeta ka mësuar se përveç VV-së, propozimet e tyre në Presidencë i kanë dërguar edhe PDK, LDK-së, AAK dhe komunitete.

Lajme të ngjashme