Kushte gjithandej, Bislimi nis “draft narrativ” për Planin e Rritjes të BE-së me sytë te 945 milionë eurot
Kosovës s’po i hiqet këmbësh pluhuri i ‘kushtëzimeve’ thuajse në çdo hap.
E kushtëzuar në heqjen e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian (fjalë kjo si term përzbutës për sanksione, në vlerë monetare qindra miliona euro) tash Kosova e gjen veten edhe ‘të kushtëzuar’ në Planin e Rritjes së BE-së, përkatësisht Fondin 6 miliardësh për Ballkanin Perëndimor, nga ku supozohet të përfitojë mbi 900 milionë euro.
Për çka ka qenë thënë deri sot Kosovës i lipset që të përparojë në zbatim të Marrëveshjes së Bruksel/Ohrit, për çka kryesisht në konstatimet e BE-së por edhe të ShBA-së jepet që Qeveria e Kosovës nuk e bën.
Zbatimi i kësaj marrëveshje është lidhur edhe me vetë këtë Fond të BE-së. Këtë na e pati thënë edhe vetë ndërmjetësi evropian, Miroslav Lajçak.
Pyetur nga Nacionale prerazi “a është a po nuk është kusht” zbatimi i Marrëveshjes Bazike, Lajçak na pati thënë prerazi se “Po”.
“Po. Një nga parakushtet që Kosova dhe Serbia të përfitojnë nga mbështetja në kuadër të Instrumentit të Planit të Rritjes është që ato të angazhohen në mënyrë konstruktive në normalizimin e marrëdhënieve të tyre, t’i zbatojnë plotësisht të gjitha obligimet e tyre përkatëse nga Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit dhe i gjithë Dialogu i shkuar, si dhe të lansojnë negociata për Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve”.
Edhe ambasdori i BE-së, Thomas Szunyog, duke folur për çështjen e Planit të Rritjes, la të kuptojë se ekzistojnë – ndonëse nuk përdori fjalën kushtëzim – disa parametra të Po-së ose Jo-së në raportin e këtij fondi me Kosovën..
Për të ndalimi i mallrave serbe nga Kosova – që kur kishte ndodhur kidnapimi i tre policëve kosovare nga shteti serb – përbënte diçka nga e cila Kosova duhej të hiqte dorë.
"Në këtë drejtim, lëvizja e lirë e mallrave, shërbimeve dhe punëtorëve është një komponent kyç i Planit të Rritjes. Prandaj, inkurajoj Kosovën që të heqë ndalimin e mallrave serbe sa më shpejt të jetë e mundur", tha ambasadori Szunyog.
Besnik Bislimi, Zëvendës Kryeministër i Kosovës, ditë më parë njoftoi se ka nisur drejt Komisionit Evropian një formalitet të përmbushur – krejtësisht të ndarë nga kjo fotografi – për çka konstatoi se vetëm Kosova në tërë rajonin e ka përmbushur atë.
“Pas një pune intenzive dhe voluminoze...nisëm draft narrativin dhe të tabelën e plotë të dakorduar të agjendës së reformave mbi Planin e Rritjes”.
I shpresshëm, u shpreh Bislimi, që Kosova pritet të përfitojë “rreth 945 milionë euro, të cilat do shërbejnë në zbatimin e reformave dhe projekteve investive”.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka kërkuar që Qeveria e Kosovës “të jetë shumë e kujdesshme” në trajtimin e kërkesave (i.e kushtëzimeve) të BE-së në atë që Kosova të jetë përfitueuse e këtij fondi gjigant.
“Po ne edhe më herët kemi kërkuar që të jemi shumë të kujdesshëm sa i përket implementimit të planit zhvillimorë dhe qoftë se ne e humbin hapin ose nëse nuk i përmbushim kushtet të cilat na kërkohet, atëherë këtu nuk do të jetë vetëm humbje kohë siç na ka ndodhur te liberalizimi i vizave, që humbëm kohën për dhjet vite, sepse këtu do të humbasim edhe materialisht për arsye se shuma e mjeteve që është e paraparë për Kosovën”, ka thënë Rafuna për “Ekonomia Online”.
“Në rast që nuk arrihet me u shpenzuar për shkak se nuk i ke plotësuar kushtet ajo shumë e mjeteve ju shpërndahet vendeve të Ballkanit, përfitojnë vendet tona fqinje. Për këtë arsye ne duhet të jemi shumë të përpiktë në plotësimin e kushteve që kërkohet dhe të jemi në koherencë me gjitha vendete e tjera gjatë fazave të implementimit që mos të ngecim”.
“Në planin zhvillimorë është bërë shumë e qartë që në rast se një shtet nuk i plotëson kushtet do ta ndalë vetën. Për këtë arsye kërkesa jonë vazhdon që ne të jemi shumë të përpiktë edhe OEK-u për pjesën brenda kompetencave edhe mundësive që i ka do të jetë 24 orë në shtatë ditë të punës për ti ndihmuar institucionet për plotësimin e kushteve”, ka thënë Rafuna.