Kush janë ‘Mjekroshat’ që dyshohet se e vranë Oliver Ivanoviqin?
Shtatë ditë më parë, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka takuar përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, përfshirë këtu edhe Milan Radojiçiqin, rivalin politik dhe personin më të përfolur për vrasjen e ish-politikanit serb Oliver Ivanoviqit. Në procesin gjyqësor që po zhvillohet për më shumë se tri vjet në Kosovë, dëshmitarët thuajse në çdo deklaratë kanë përmendur si të dyshuar për këtë vrasje Milan Radojiçiqin dhe Zvonko Veselinoviqin. E se Veselinoviq e ka urdhëruar vrasjen e Ivanoviqit po e thotë edhe Boban Bogdanoviq, mik i kriminelit serb të vrarë Aleksandar Gligorijeviq Puki.

Bogdanoviq i tha KRIK-ut se Oliver Ivanoviq u vra nga Ljubomir Lainoviq nga Novi Sadi, dhe se vrasja ishte urdhëruar nga biznesmeni kontrovers kosovar, Zvonko Veselinoviq.
Bogdanoviq ka thënë se shoku i tij i ka treguar të vërtetën për vrasjen e politikanit nga veriu i Kosovës, Oliver Ivanoviq.
“Data 7 mars 2020 do të mbetet e skalitur në kujtesën time për gjithë jetën. Atë ditë ishte ndeshja e parë e raundit pranveror të Tekstilacit, në të cilën isha i ftuar si mysafir nderi dhe pas lojës u ulëm me Aleksandrin dhe folëm për diçka për të cilën nuk e kisha ëndërruar se do të flisnim. Aleksandri më tha kush janë organizatorët, kush është porositësi dhe kush është vrasësi i Oliver Ivanoviqit”, thotë Bogdanoviq.
Siç tha ai, Gligorijeviq i zbuloi atij se Oliver Ivanoviq u vra nga Ljubomir Lainoviq, djali i Branislav Lainoviq Dugi, i cili njihej si person i rrezikshëm në Novi Sad.
"Ai e kreu atë vrasje. Njeriu që organizoi ardhjen e tij në Kosovë, që përgatiti logjistikën e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, është Milan Radojçiq. Njeriu që urdhëroi vrasjen e Oliverit është Zvonko Veselinoviq. Kështu më tha Aleksandar Gligorijeviq Puke", thotë Bogdanoviq.
Gligorijeviq, siç tha ai, i ka treguar se detyra e tij ishte që t'i jepte Lainoviqit 50.000 euro që i kishte marrë nga Belivuk për punën që ka bërë.
“Kur i pagoi ato para, ata ishin në Novi Sad, në një klub. Lainoviq tha se paratë ishin për një punë që është kryer në Mitrovicën e Kosovës, dhe sepse ai ka qenë personi që e ka bërë 'shoshë' Oliver Ivanoviqin. Ai fjalë për fjalë i ka përdorur këto fjalë", tha Bogdanoviq për KRIK.

Siç ka thënë ai, paratë për vrasjen ia ka dhënë Zvonko Veselinoviq, përmes Belivuk, Aleksandar Gligorijeviqit, i cili ia ka dorëzuar paratë Ljubomir Lainoviqit.
Gligorijeviq, siç shtoi ai, i tha gjithashtu se Lainoviq kreu një tjetër vrasje në Athinë, pas së cilës ai shkoi në Spanjë dhe i humbi gjurmët.
“Aleksandar Gligorijeviq Puki u vra në vitin 2020 nga duart e ish-bashkëpunëtorëve të tij. Ai u vra nga Belivuk dhe anëtarët e klanit në një shtëpi në Ritopek, dhe trupi i tij ishte masakruar, kurse fjala "tradhti" i ishte gdhendur në shpinë sepse e morën vesh se ai ishte kthyer kundër tyre”, kujton KRIK.
Bogdanoviq ka folur për KRIK edhe për lidhjet që Gligorijeviq ka pasur me Partinë Përparimtare Serbe dhe detaje të tjera nga krimi dhe sporti.
Intervistën e plotë mund ta ndiqni në video:
Por çka thuhet në dosjen e prokurorisë kosovare për vrasjen e Oliver Ivanoviqit?
Në dosjen e Prokurorisë thuhet se vrasja e ish-politikanit serb Oliver Ivanoviq mund të jetë kryer nga një grup i kriminal që vepron në veriun e Mitrovicës dhe që quhen “Mjekroshat”. Të gjithë këta dyshohet se marrin urdhra nga “peshku i madh”, Milan Radojçiq.
Sipas fazës së hetimeve dhe grumbullimit të provave, dilet në përfundim se vrasja e Ivanoviq u krye për motive politike dhe se ai u ekzekutua nga grupi kriminal i organizuar dhe i udhëhequr nga Milan Radojçiq i cili tashmë prej kohësh ka vepruar me grupin e tij dhe pjesëtarët e grupeve të tjera si grupi “Bradonjat” (mjekroshat) të ardhur kryesisht nga qyteti i Quprisë në Serbi. Pjesëtarët e këtij grupi ishin marrë edhe me sigurinë fizike të Milan Radojçiqit.
Radojçiq ishte kërkuar nga ana e institucione të hetuesisë kosovare si i dyshuar në përfshirjen e vrasjes së ish-politikanit serb, Oliver Ivanoviqit.
Në aktakuzën 48-faqëshe jepen detaje të frikshme rreth gjithë rastit të vrasjes së ish-politikanit serb, Oliver Ivanoviq, i cili u gjuajt për vdekje në mëngjesin e 16 janarit të vitit 2018 para selisë së partisë së tij. Janë më shumë se 25 dëshmitarë e qindra prova të tjera të cilat janë marrë parasysh si pjesë e hetimeve nga ana e Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Por, përveç këtyre dëshmitarëve, në aktakuzë flitet edhe për dëshmitë e 4 dëshmitarëve të mbrojtur. Dëshmitari anonim A1, dëshmitari anonim D, dëshmitari anonim B1, si dhe dëshmitari anonim B3.
Njëri nga këta dëshmitarë në deklaratën e tij para hetuesisë kishte deklaruar se vetura me xhama të zi, e cila sipas tij kishte qenë e njëjta veturë që kishte qëndruar 3 ditë para vrasjes së Oliver Ivanoviqit, afër vendit ku është gjetur e djegur kjo veturë e dyshuar.
Ai deklaron se një natë para ngjarjes, në vendin ku ishte vrarë Ivanoviqi, kishte vërejtur tre persona, dy me uniformë të policisë së Kosovës dhe një person prapa me rroba civile.
Sipas dëshmitarit, personi i cili kishte qenë me rroba civile (shtatlartë, tullac, në krah kishte pasur një çantë krahu, dhe një tatuazh në dorën e majtë, kishte dalë nga vetura e policisë dhe në gjuhën serbe kishte folur me zë të lartë me zyrtarët e policisë.
Në një dëshmi tjetër të dëshmitarit anonim, ai ka deklaruar se Milan Mihajloviq e kishte kërcënuar atë se do ta vrasë në momentin kur e kishte pyetur se nëse ka lidhje me vrasjen e Oliver Ivanoviqit.
“Mos u bë i marrë, mos më lidh mu me këtë punë”, “Mos i përmend këto gjëra, se për këto shkon edhe koka, sepse pas këtyre gjërave qëndrojnë forcat më të fuqishme shtetërore”, citon t’i ketë thënë Mihajloviqi, dëshmitarit të mbrojtur. Ai ka deklaruar se Mihajloviqi, për çdo ditë kishte qenë në kontakt me Milan Radojçiqin.
Ai ka deklaruar se dyshon që Oliver Ivanoviqin mund ta ketë vrarë i njëjti person i cili e ka vrarë edhe Ivica Rajçiqin. Dëshmitari anonim, tutje ka deklaruar se Milan Radojçiqin e përkrahin ‘grupi i mjekroshave’ dhe se prej tij frikësohen të gjithë eprorët e policisë në rajonin e Mitrovicës së Veriut.
Ivanoviqi e kishte ditur se do të vritej: Për rrezikun i kishte njoftuar institucionet
E për të gjitha kërcënimet, ish-politikani serb, Oliver Ivanoviq i kishte njoftuar institucionet e hetuesisë përfshirë edhe vetë palën serbe, në këtë mes edhe presidentin e Serbisë si dhe shërbimin e BIA-s. Madje këtë e kishte paralajmëruar vet ai, përmes një sms-i që e kishte shkëmbyer me një person.
“Do të të përkrahim, sigurisht, vetëm përpara, atëherë ruaje familjen dhe veten sa mundesh.”
Këtë mesazh, Ivanoviq e mori seriozisht, pasi paralajmëroi se do t’i njoftonte organet e hetuesisë.
“Nesër do ta thërras prokurorin që të fillojë hetimet”, kishe shkruar Ivanoviq.
Por para se ta ndërmarrë këtë veprim, politikani serb u godit për vdekje me gjashtë plumba para selisë së partisë së tij më 16 janar të vitit që e lamë pas.
“Ivanoviq kishte thënë se ai dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tij, janë të rrezikuar nga Milan Radojqiq dhe grupi i tij dhe se ai gjithmonë është frikësuar se do të vritet nga Radojqiqi dhe grupi i tij”, thuhet në deklaratën e një dëshmitari.
Më tej në deklaratat e tjera, theksohet se në asnjë mënyrë shqiptarët nuk kanë mundur që ta kryejnë këtë vrasje.
“Prapa saj qëndrojnë serbët dhe strukturat kriminale që veprojnë në veriun e Kosovës, Radojqiq, Rakiq dhe Bojiq”, thuhet tutje në dëshminë e një dëshmitareje e cila i është bashkangjitur aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Në përfundimin e aktakuzës, Prokuroria Kosovës, thenksonte se gjatë fazës së hetimeve dhe grumbullimit të provave, vihet në përfundim se vrasja e Oliver Ivanoviqit mund të jetë kryer për motive politike dhe se është kryer nga grupi kriminal i organizuar dhe udhëhequr nga Milan Radojqiqi i cili tash e një kohë kishte vepruar me grupin e tij si dhe pjesëtarët e grupeve të tjera si grupi “bradonjat” (mjekroshat) të ardhur kryesisht nga qyteti i Quprisë Serbi. Pjesëtarët e këtij grupi ishin marrë edhe me sigurinë fizike të Milan Radojqiqit.
E megjithëkëtë, deri më tani, Prokuroria Speciale e Kosovës nuk ka arritur t’i identifikojë vrasësit e mundshëm të Ivanoviq. Ndërkohë, urdhërarrest ndërkombëtar Prokuroria tashmë ka shpallur edhe për katër persona të tjerë të cilët dyshohet se janë të përfshirë në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit. Ata besohet se gjenden në Serbi. /Nacionale.com/