Kush është Xhevdet Pozhari, përkrahësi i VV-së që paralajmëroi tërheqjen nga jeta publike?
Njihet si njëri ndër përkrahësit më të mëdhenj të pushtetit aktual. Por, Xhevdet Pozhari nuk ishte gjithnjë përkrahës i VV-së – edhe pse marrëdhëniet me pushtetin i kishte mirë pothuajse çdo herë.
Normalisht edhe me partitë që dikur udhëhoqën me Kosovën.
Para se të përkrahte pushtetin e VV-së, Pozhari ishte i angazhuar në Nisma, gjegjësisht në cilësinë e këshilltarit të Fatmir Limajt. Ndonëse qëndroi një vit në këtë funksion, Pozhari nuk mbahet mend për ndonjë këshilldhënie kush e di se çfarë.
Ish këshilltari, që tash është shndërruar në analist politik, duket se nuk po i pëlqen mënyra se si po qeverisë kryeministrit Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje.
Përmes një postimi në rrjetin social "Facebook", Pozhari shpërfaqi një dozë nervoze me ekzekutivin, duke shtuar se kishte pritur më shumë nga ta.
Madje, këtij njoftimi theks të veçantë u kishte vënë disa personave, që Pozhari i etiketoi si "hajna", gjuhë kjo aspak e mirë, megjithëse konform etikës gazetareske, duhet cituar saktë.
"Një lajm i mirë për hajnat: Ndoshta së shpejti tërhiqem krejtësisht nga jeta publike. Jam lodh duke e pa qysh arsyetoni njerëz që vjedhin ashiqare mëditje, ndërkohë që çdo ditë shoh mjekë/infermierë në intensive qysh dërrmohen t'u kujdestaru që t'i mbajnë pacientët në jetë dhe nuk paguhen për ndërrimin e natës as sa gjysma e mëditjes që e vjedhin deputetët”, shkroi Pozhari.
Madje ai e përmendi edhe emërimin e ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi, i cili sipas Pozharinit ‘nuk ia ka haberin’ për këtë sektor.
“Jam lodh kur shoh që emërohet në krye të shëndetësisë një ministër që nuk ia ka haberin dhe sen nuk bën për sektorë të caktuar, për atë pjesë të mantelbardhëve që punojnë natë e ditë.
Është tu më dëshpëru me të madhe kjo Qeveri, se prej hajnave as që kam pas naj pritje tjetër.
Puna e mbarë ju qoftë të gjithve!", shkroi ai në mes tjerash.
Por kush është Xhevdet Pozhari?
Në vitin 2009 u emërua këshilltar politik i kreut të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limajt, i cili atëbotë ishte pjesë e PDK-së dhe udhëhiqte me Ministrinë e Infrastrukturës.
Nuk qëndroi gjatë aty, nga ku dha dorëheqje një vit pas.
Nuk dihet se çfarë bëri deri në vitin 2013, koha kur VV i fitoi zgjedhjet lokale në Prishtinë.
E kur Shpend Ahmeti mori drejtimin e komunës së Prishtinës, Pozhari u bë zëdhënës i tij.
Pas disa viteve, ai përsëri iu rikthye gazetarisë me intervista të cilat transmetoheshin në portalin e tij, por edhe në televizionet kosovare.
Por, ai nuk është se mbahet mend fort si gazetar, zëdhënës apo këshilltar.
Në jetën publike, Pozhari më shumë njihet si analist.
“Boom-in" në karrierë e arriti me pjesëmarrjen në "Debat Plus", para zgjedhjeve të 2019-ës, prej nga kur edhe mori etiketën si mbështetës i VV-së.
Por, për pak muaj, ai la petkun e analistit, për t’iu ritkhyer këshilldhënies. Ishte viti 2020, kur Pozhari u emërua këshilltar në kabinetin e ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, gjatë Qeverisë jetëshkurte Kurti 1.
Ky apostrofim atij nuk i pati pëlqyer fare.
Ai me një gjuhë të vrazhdë i pati sqaruar raportimet për punësimin e gruas së tij, teksa i quajti disa gazetarë “zagarë të PDK-së".
E, ata që më quajnë ‘analist i VV-së’ mburrem që nuk jam dhe nuk do të bëhem kurrë si ju – zagar i PDK-së", thuhej ndër të tjerash në postimin e Pozharit.
Së fundmi, Pozhari mbahet mend edhe për përlasjen me kreun e SBASHK-ut, Rrahman Jashari, të cilin madje e ‘kërcënoi’ se do t’ia tregonte vendin nëse ky i fundit do të thërriste greva në shkolla.
Mbetet të shihet se cili do të jetë rrugëtimi i radhës në karrierë i Pozharit. Nuk dihet nëse, analisti i deri sotëm do të qëndrojë larg mediave.
Megjithatë, opinioni publik do ta mbajë mend si një nga analistët që është përplasur shumë me ata që uleshin përballë tij dhe si përkrahës të VV e Kurtit.