Kush është komandanti i ri i luftës së Rusisë në Ukrainë, Valery Gerasimov? - NACIONALE

Kush është komandanti i ri i luftës së Rusisë në Ukrainë, Valery Gerasimov?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministri i Mbrojtjes i Rusisë, Sergei, e ka ngarkuar komandantin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë ruse, Valery Gerasimov, me detyrën e udhëheqjes së luftës në Ukrainë.

Gjenerali Gerasimov ishte emëruar komandant i Shtabit të Përgjithshëm dhe zëvendësministër i Mbrojtjes nga presidenti rus, Vladimir Putin, më 9 nëntor 2012, tri ditë pasi aleati i vjetër i Putinit, Sergei Shoigu, ishte emëruar ministër i Mbrojtjes.

Secili nga këta tre persona mban nga një çantë me të cilën mund të jepet urdhri për të nisur sulm bërthamor, raporton agjencia “Reuters”.

Gerasimovi ka luajtur role kyçe gjatë aneksimit të Krimesë së Ukrainës më 2014 dhe në përkrahjen ushtarake të Rusisë për presidentin Bashar al-Assad gjatë Luftës Civile të Sirisë.

Departamenti i Shtetit i ShBA-së i vuri sanksione Gerasimovit një ditë pas fillimit të luftës, duke thënë se ai është njëri nga tre zyrtarët e lartë rusë, krahas Putinit, që janë drejtpërdrejt përgjegjës për luftën.

Sidoqoftë, Gerasimovi nganjëherë flet me komandantin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së ShBA-së, Gjeneral Mark Milley.

Gerasimovi është lindur më 8 shtator 1955 në qytetin Kazan dhe ka qenë pjesë e forcave të tankeve dhe ka diplomuar në vitin 1997 në Akademinë Ushtarake të Shtabit të Përgjithshëm.

Duke e vënë Gerasimovin në komandën e drejtpërdrejtë, Putini mund t’i dërgojë një sinjal Perëndimit për vendosmërinë e tij që ta fitojë luftën dhe për ta bërë gjeneralin e tij më të lartë më të përgjegjshëm për zhvillimin e përditshëm të pushtimit.

“Tash, Shtabi i Përgjithshëm është drejtpërdrejtë dhe në mënyrë të pakompromis përgjegjës për absolutisht gjithçka”- tha Semyon Pegov, bloger ushtarak rus.

Sidoqoftë, Tatiana Stanovaya, themeluese e kompanisë për analiza, “R.Politik”, nuk është e bindur se ndryshimi i pozitave do të bëjë ndryshime të mëdha.

“Gerasimovit iu dha komanda e operacionit ushtarak për shkak të humbjeve serioze të Surovikinit. Putini po kërkon taktika efektive kundër një konteksti të një humbjeje të ngadalshme”- tha ajo.

“Ai po mundohet që t’i rirendisë copat, prandaj po u jep mundësi atyre që i duken bindës. Sot, Gerasimovi doli të jetë bindës. Nesër, mund të jetë kushdo tjetër”- shtoi ajo.

Lajme të ngjashme