Kush është Borut Pahor, pasardhësi i mundshëm i Lajçakut? - NACIONALE

Kush është Borut Pahor, pasardhësi i mundshëm i Lajçakut?

3 javë më parë

nga Flakon Demaku

Ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, siç raportohet nga mediumi slloven “Delo”, po synon të marrë rolin e emisarit të Bashkimit Evropian, i ngarkuar me lehtësimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Pahor, me ndihmën e Ministrisë së Punëve të Jashtme, të udhëhequr nga ish-partiakja e tij Tanja Fajon, raportohet se po përgatitet të garojë për pozicionin e të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, aktualisht i mbajtur nga Miroslav Lajçak.

Zyrtarët në Ministrinë e Jashtme të shtetit slloven besojnë se Pahor është një kandidat i përshtatshëm për këtë rol të rëndësishëm dhe prestigjioz në Ballkanin Perëndimor, duke e konsideruar atë një zonë strategjike për Slloveninë.

Lobimi për rolin e ri të Pahorit raportohet se është duke u përkrahur edhe nga komiteti këshillues i Institutit Miqtë e Ballkanit Perëndimor.

Ky komitet përfshin, ndër të tjera, ish-Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë Catherine Ashton, ish-kryeministrin suedez dhe Përfaqësuesin e Lartë të OKB-së për BeH-në Carl Bildt, ish-kryeministren kroate Jadranka Kosor, ish-presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga, ish-presidentin serb Boris Tadiq dhe koordinatori kombëtar për Ballkanin Perëndimor, Peter Greku.

Kush është Borut Pahor?

Borut Pahor, është një politikan slloven që mbajti rolin e Presidentit të Sllovenisë nga viti 2012 deri në vitin 2022, pasi shërbeu si Kryeministër nga 2008 deri në 2012.

Me një mandat të konsiderueshëm brenda socialdemokratëve, Pahor ka qenë një anëtar aktiv dhe madje ka mbajtur postin e kryetarit të partisë.

Karriera politike e Pahor vazhdoi në Parlamentin Evropian, ku ai u bë anëtar në vitin 2004.

Pahor duhet të dorëzojë personalisht një kërkesë për postin e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm, të udhëhequr nga socialisti spanjoll Josep Borrell.

Mandati i dytë dyvjeçar i Miroslav Lajçak skadon në fund të gushtit të këtij viti.

Lajme të ngjashme