Kush është Nikë Gjeloshi, që sot në takim është përmendur për president?
Emri i Nikë Gjeloshi është përmendur gjatë takimit të sotëm mes krerëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, në kuadër të diskutimeve për gjetjen e një kandidati konsensual për President të Kosovës, mëson Nacionale nga burime të informuara.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pas takimit nuk konfirmoi identitetin e asnjë kandidati të diskutuar.
Kurti, megjithatë, bëri të ditur se për herë të parë palët kanë kaluar nga diskutimet për kriteret dhe parimet te emrat konkretë.
“Është hera e parë që kemi diskutuar me dhe për emra të përveçëm”, deklaroi Kurti, duke shtuar se emrat nuk mund të bëhen publikë në këtë fazë për shkak të, siç u shpreh ai, konfidencialitetit të negociatave.
Kush është Nikë Gjeloshi?
Nikë Gjeloshi është figurë e angazhuar në jetën politike shqiptare.
Në vitet e para të ’90-ta, ai ka shërbyer si zëvendëskryeministër dhe ministër i Mbrojtjes në Qeverinë në ekzil, të njohur si Qeveria e Bujar Bukoshit. Më vonë është angazhuar edhe në politikën partiake në Kosovë.
Një lidhje e tij familjare që ka marrë vëmendje publike gjatë viteve të fundit është ajo me familjen e ish-presidentit historik, Ibrahim Rugova.
Agron Gjeloshi, djali i Nikë Gjeloshit, është i martuar me Teuta Rugovën, vajzën e Ibrahim dhe Fana Rugovës (të kurorëzuar në korrik të vitit 2024), ndërsa vetë Nikë Gjeloshi është dhëndër i familjes së Ipeshkvit të Kosovës, Imzot Dodë Gjergji.
Promovimi i emrit të Gjeolshit nga Geci dhe Ramabaja
Interesante është se emri i Gjeloshit për pozitën e Presidentit nuk është shfaqur për herë të parë sot.
Vetëm pak ditë më parë, më 19 gusht, ish-deputeti i LDK-së, Gani Geci, e kishte propozuar publikisht Nikë Gjeloshin si kandidat të mundshëm konsensual për President.
Përveç Gani Gecit, emri i Nikë Gjeloshit është përmendur dhe vlerësuar pozitivisht së fundmi edhe nga analisti Sadri Ramabaja në debate televizive.