Kusari-Lila: Dokumenti i Ramës besoj se përfundon atje për ku është nisur
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari- Lila, ka reaguar pasi Edi Rama ka bërë me dije se në Gjermania dhe Francë ka dorëzuar një draft-statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Ajo ka thënë se për këtë çështje Rama nuk është konsultuar me Kosovën.
“Ne nuk kemi si ta shohim, për arsye se nuk e kemi parë atë draftstatut. Siç ka thënë vet kryeministri Rama, nuk është konsultuar. Unë mendoj që specifikat dhe rrethanat e këtij procesi në Kosovë, janë të tilla që duhet pasur në konsideratë, krejt historinë e këtij procesi dhe natyrisht rëndësinë e kuptimit të rrjedhës përpara bazuar në parime”, ka thënë Kusari-Lila për KosovaPress.
Ajo ka bërë me dije se ai draft para se të shkojë në dy vendet evropiane është dashur të vije në Kosovë.
“Ky dokument i shkruar nga zotëri Rama besoj përfundon atje për ku është nisur. Ai dokument nuk është për Francën, për Gjermaninë e shtetet tjera. Ai dokument është për Kosovën, para se të shkojë atje duhet të jetë i Kosovës, me Kosovën dhe për qytetarët e Republikës së Kosovës. Ne nuk kemi nevojë për një shpëtimtar në formën e ofrimit të një drafti të statutit. Ne kemi nevojë për elaborim dhe pronësi të parimeve, të cilat do të jenë në fokus me funksionimin e shtetit, me të drejtat e komuniteteve në Kosovë, e natyrisht edhe me pronësi dhe qartësi për të ardhmen e vendit tonë”, ka vlerësuar Kusari-Lila.