Kurtin në samit e pyesin për 'ikjen e trurit' Po rritet ekonomia, po rriten pagat në privat, njerëzit s’duhet të largohen - NACIONALE

Kurtin në samit e pyesin për 'ikjen e trurit' Po rritet ekonomia, po rriten pagat në privat, njerëzit s’duhet të largohen

4 muaj më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti derisa po merr pjesë në Samitin e Ballkanit Perëndimor, është pyetur mbi ikjën e të rinjve, apo “ikjen e trurit” nga vendi.

Drejtuesi i panelit ku ai po merr pjesë, ia shtroi Kurtit këtë pyetje:

“Është përmendur që, vërehet shumë qartë, në Prishtinë kur kalon rrugëve që ka një popullsi të re, por ka edhe ikje të trurit, shumë të rinj po ikin nga vendi…sa është me rëndësi t’i përdorim këta të rinj, çka po bëni në këtë drejtim?”

Kryeministri i Kosovës përmendi edhe një herë modelin gjerman dhe lidhjen e tregut të punës me arsimin profesional.

“Së pari ne po mundohemi ta lidhim tregun e punës me arsimin profesional. Pastaj, modeli gjerman, ku studentët kalojnë disa ditë në shkollë duke mësuar teori lidhur me atë që do të punojnë, kur të bëjnë pjesën praktike, në këtë mënyrë ofrojnë një profesionalizëm joakademik.” – tha fillimisht ai.

Kurti, më pas foli për “zhvillim të ekonomisë dhe rritje të pagave në sektorin privat”. Sipas tij, për këtë arsye, njerëzit nuk duhet të largohen.

Ai madje, tha se është optimist që shumë qytetarë nga diaspora, do të vazhdojnë të kthehen për të jetuar në Kosovë.

“E dyta është po zhvillojmë, po rrisim ekonominë tonë, paga mesatare në sektorin privat po rritet. Dhe njerëzit nuk duhet të largohem. Ata që shkojnë të studiojnë, u dëshirojmë fat dhe dëshirojmë t’i përkrahim që një ditë, ata të zëvendësojnë këtë ikjen e trurit që ka ndodhur që ka ndodhur paraprakisht apo që po ndodhë dhe jam optimist që shumë njerëz nga diaspora do të vazhdojnë të kthehen duke hapur degë të bizneseve të tyre…dhe ndoshta disa edhe kur të penzionohen mund të kthehen.” – u shpreh Kurti.

Mes tjerash, shefi i Qeverisë tha edhe këto fjalë:

“Një llogaritje e keqe e Millosheviqit ka qenë se kur t’i përzë 1 milion shqiptarë, nuk do të kthehen kurrë, dhe brenda dy muajsh, 90 për qind prej tyre u kthyen.

Kemi diasporë që e do shumë vendin e vet, dhe numri i fluturimeve është shumë i madh, dhe nganjëherë dyshoj që ata kanë dalë jashtë për t’u kthyer.”

Ndryshe, të pranishëm në panelin me Kurtin, ishin edhe ish-kryeministri i Italisë, Matteo Renzi dhe ish-sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Lord George Robertson.

Të pranishëm në samit janë edhe ambasadorë të ndryshëm, duke përfshirë atë amerikan, Jeff Hovenier, si dhe ministra të Qeverisë Kurti.

Lajme të ngjashme