Kurti ndërton mirazh 'cep më cep progresi' nga Mitrovica – edhe rryma "më e lira në Evropë" - NACIONALE

Kurti ndërton mirazh 'cep më cep progresi' nga Mitrovica – edhe rryma "më e lira në Evropë"

1 vit më parë

nga Flakon Demaku

Pretendim-arritjet përmes formulimeve abstrakte nuk i mungojnë në asnjë tubim elektoral që nga nisja e fushatës zgjedhore më 11 janar. Megjithatë, në takimin e sotëm me simpatizantë nga Mitrovica, farkëtimi i ngadaltë, metodik, i një mirazhi cep më cep progresi ishte i paprecedentë.

Nga atje, kreu i qeverisë që po përfundon një mandat të plotë me mbi pesëdhjetë për qind të votave, u rikthye para qytetarëve për t’ua kërkuar votën prapa pretendimeve se “Kosova ka çmimin më të ulët të energjisë elektrike krahasuar me vendete Evropës” dhe se se “me neve në qeveri, Kosova i thotë ‘jo’ Zajednicës.”

Vërtetësinë e këtyre dhe një sërë pohimesh tjera, sipas kreut të qeverisë, s’mund t’i mposhtin as “1 milion lajme” që ai i paragjykoi si “të rreme.”

Sipas tij, këto lajme nuk kanë fuqinë për të sfiduar “të vërtetën” që, tha ai, ekziston në popullin kosovar dhe fiton çdoherë.

“1 milion lajme të rreme nuk mund ta mposhtim të vërtetën. E vërteta ekziston në popull dhe ajo fiton çdoherë, fiton këtu kurdo herë në Kosovën tonë cep më cep.” – tha ai.

Ajo që Kurti do të formulonte në vazhdim u kthye në përgënjeshtrim instant të pohimit të tij, teksa– pa e mbështetur me asnjë burim – deklaroi: “Kosova është një nga vendet me rritjen më të madhe ekonomike, ngritjen më të lartë demokratike.”

“... sepse punojmë me dije e plan dhe shërbejmë me dinjitet dhe përkushtim. Këto janë të vërteta të popullit që populli i njeh shumë mirë e s’ka portal e as analist që mund t’i shtrembëroj apo t’i mohoj.” – u shpreh mes tjerash kreu i qeverisë. – vazhdoi të pretendonte ai.

"Energjia elektrike në Kosovë – më e lira"

Ndonëse Kosova renditet si vendi më i varfër në Evropë për nga të ardhurat për kokë banori, për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Kosova gëzon çmime të favorshme të energjisë elektrike.

Kështu la të kuptohej kur, gjatë tubimit elektoral në Mitrovicë, kreu i ekzekutivit, ndërsa po rendiste “të mirat” që sipas tij, i ndodhën Kosovës përgjatë qeverisjes Kurti, ai shtoi se në krahasim me vendet e tjera evropiane, Kosova ka çmimet më të ulëta të energjisë elektrike.

“Energjia elektrike në Kosovë është më e lirë në Evropë, vetëm 7 cent të euros për kilovat orë, kurse i mbështetëm 208 mijë familje me subvencionim fakturash.” – tha ai.

Me vetëm një javë deri në zgjedhjet parlamentare, Kurti tha edhe diçka tjetër – se nën qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje, Kosovëa i ka thënë “jo përgjithmonë Zajednicës.”

Në vend të kësaj, pretendoi Kurti, qeveria e udhëhequr nga ai i thotë “po” Asociacionit të komunave të Kosovës.

“Republika e Kosovës, me qeverinë tonë në udhëheqje i thotë jo kurrë Zajednicës dhe po Asociacionit të komunave të Kosovës, ku tash e kemi edhe komunën veriore të Mitrovicës sonë të dashur”, tha ai.

Lajme të ngjashme