Kurti "zbret nga froni”, ia mësyen diasporës – për pak ditë qëndroi në Zvicër, Francë e Norvegji - NACIONALE

Kurti "zbret nga froni”, ia mësyen diasporës – për pak ditë qëndroi në Zvicër, Francë e Norvegji

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ndonëse jo zyrtarisht, partitë politike tashmë janë në parafushatë elektorale. Përderisa PDK-ja ka mbajtur konventën e saj e LDK-ja ka nisur me prezantimet e kandidatëve për deputetë, VV-ja ka zgjedhur një rrugë tjetër. Albin Kurti, kryetar i VV-së, i është rikthyer diasporës kosovare, e cila në vitin 2021 e kishte votuar në mënyrë masive.

Ndonëse VV-ja po tenton të përshkruajë si vizitë në cilësinë e kryeministrit, Kurti në diasporë është rikthyer tash kur parafushata veçse ka marrë hapat e saj. Sidoqoftë, për pak ditë, Kurti vizitoi disa vende, përfshirë Austrinë, Zvicrën, Francën e Gjermaninë.

Më 8 nëntor, Kurti qëndroi në Norvegji, bashkë me Donika Gërvallën, ministre e Punëve të Jashtme.

“Ky takim është pjesë e një serie takimesh që Kryeministri po zhvillon me diasporën për të forcuar lidhjet dhe për të diskutuar rolin e rëndësishëm që ka diaspora për zhvillimet në Kosovë” – kishte shkruar VV-ja.

Vetë Kurti e publikoi një video nga takimi i tij me diasporën në Norvegji.

“Mërgata jonë gjithmonë ka qenë ura që lidh Kosovën me vendet ku ata jetojnë e punojnë. E ne po kujdesemi që të jemi ura që i shton lidhjet e mërgatës me vendit tonë. Sinergji, që e forcon bashkëpunimin tonë por edhe më e rëndësishmja, kontribuon në zhvillimin dhe progresin e vendit” – shkroi mbrëmë Kurti.

Tash sërish do të jetë në Gjermani dhe prapë do të ketë takim me diasporën. Edhe në Gjermani, bashkë me Kurtin ka udhëtuar Gërvalla.

“NESËR, më 10 nëntor, Kryeministri Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrja, njëherazi Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, do të takojnë mërgatën në Frankfurt, Gjermani.

Takimi fillon në orën 13:30 në adresën Hanauer Landstraße 188, 60314 Frankfurt am Main. Ju mirëpresim!

Ky takim është pjesë e një serie takimesh që Kryeministri po zhvillon me diasporën për të forcuar lidhjet dhe për të diskutuar rolin e rëndësishëm që ka diaspora për zhvillimet në Kosovë” – ka njoftuar VV-ja.

Ditë më parë, më saktë më 1 nëntor, Kurti publikoi një video nga takimi i Kurtit me mërgatën në Zvicër.

Me afër 300 mijë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Zvicër, ne jemi shumë krenar për lidhjet e forta të cilat i kemi ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës dhe për këtë i jemi shumë mirënjohës mërgatës sonë” – ka shkruar Kurti.

Kurti ka qëndruar gjatë nëntorit edhe në Austri, ku ka takuar po ashtu mërgimtarët. Në diasporë gjatë javëve të fundit kanë qëndruar edhe eksponentë të ndryshëm të VV-së. Deputetët Mefail Bajqinovci, Artan Abrashi e Arbër Rexhaj.

Po ashtu, edhe në kampin e partive opozitare është vërejtur një interesim më i shtuar rreth diasporës. Madje, sot Bedri Hamza, kandidat i PDK-së për kryeministër, paralajmëroi nisjen e një turneu në diasporë.

Lajme të ngjashme