Kurti zbavitet me filozofi në Davos, reagime e tallje me trekëndëshin "Kant, Mill, Aristotel" që ia përshkroi vetes
Tri rryma filozofike të mëdha tha t’i ketë përvetësuar në vete; dhe poashtu virtytet teorike t’ia ketë bartur edhe kabinetit të vet qeverisës: Imanjuell Kantin, Xhon Stjuart Millin dhe Aristotelin.
Duke folur para një audience që s’e ndërpriste në Davos, Kurti nisi të krekosej se në qeverisje është trupëzimi i etikës së detyrës te Kanti, i utilitarizmit të Millit dhe vetë Etika e Nikomahut të Aristotelit.
Dhe mësimet e këtyre kokave të mëdha të filozofisë, sipas fjalimit të Kurtit, e kanë gjetur zbatimin në praktikë te kabineti i e tij: në Hekuran Muratin, Xhelal Sveçlën, Arbërie Nagavcin, Rozeta Hajdarin etj.
Se vartësit e vet nuk janë të korruptuar, ai e dha si vërtetë në shtresë edhe të nënvetëdishme “sepse as në imagjinatë nuk iu shkon”. Një fotografi kaq moralisht dhe psikologjikisht të kulluar, s’do të mund ta kishte plotësuar as Platoni në “Shtetin” ideal dhe “filozofin mbret”.
Ky filozofim i Kurtit në Davos u prit me reagime të ashpra e tallje të mëdha nga opinionistë dhe politikanë. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, satirizoi me kërkesën që projekin e Unazës së Prishtinës t’ia bëjë disi një vend në “trekandëshin” Kant, Mill, Aristotel; dhe “veç le të zhbllokohet”.
“Në emër të qytetarëve të Prishtinës, kërkoj publikisht që Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës, këtë projekt nacional ta fus në cilindo cep të “trekëndëshit” Kant, Mill, Aristotel të qeverisjes, por ta zhbllokojë!”, shkroi Përparim Rama në Facebook.
Opinionisti Shenoll Muharremi reagoi ashpër duke shkruar se nëse Kurti dëshiron të merret me filozofi “të shkojë të bëhet profesor” por se qeverisja është tjetër gjë.
“Kanti, Milli, Aristoteli… e kulmi i shtëpisë duke rrjedhë. Kjo i bjen si me ndërtu një pishinë luksoze në oborr për me i shitë mend kojshive, ndërkohë që je në kredi e borxhe deri në fyt. Kape more rregullo energjinë mas pari. Shteti e qeveria nuk janë filozofi, janë projekte konkrete për të mirën e publikut dhe të ekonomisë.
Menaxhoje inflacionin, ule deficitin kronik astronomik në mallra, krijo kushte mos me endërru shumica absolute e rinisë me dalë jashtë vendit. Nëse don me folë për filozofi, shko bëhu profesor. Nëse don me qenë kryeministër, rregulloje energjinë, rrugët, fuqizoji bizneset dhe investo te individi, krijo arsim cilësor e shëndësi efektive. Filozofia pa rrymë në shtëpi e në terr nuk e ngroh askënd”, shkroi Muharremi.
Opinionisti Afrim Haliti as që sheh përputhshmëri mes etikës së veprimit të promovuar nga tre filozofët e përdorur nga Kurti për t’i përshkruar lavd vetes si një i mësuar para njerëzve.
“Problemi i madh është se ky trekëndësh filozofik nuk është i dukshëm fare në realitetin e qeverisjes së Albinit dhe VV-së. Ndoshta do të ishte pak më i dukshëm po të kishte transparencë, llogaridhënie, më pak arrogancë dhe më pak moralizim nga ana e tyre, por nuk ka”, tha ai.
“Kur filozofia keqpërdoret si stoli e pushtetit, ajo nuk është filozofi por propagandë e shëmtuar që përpiqet te përdorë fjalor akademik, ndonëse fatkeqësisht fjalor tejet sipërfaqësor. Kjo për më tepër është edhe poshtërim i analfabetëve funksional. Lëreni Kantin, Millin e Aristotelin rehat se realiteti nuk ua justifikon fare përmendjen e tyre”, tha ai.