Kurti, Vuçiq, Lajçak përmendin diskutime të tjera: Çka ndodhi me vizitën e emisarëve?
Pesë emisarët e BE-së, Gjermanisë, ShBA-së, Francës dhe Italisë qëndruan sot për vizita në Kosovë e Serbi. Në Prishtinë takuan kryeministrin Albin Kurti, në Beograd presidentin Aleksandër Vuçiq. Tashmë, dy liderët dhe emisari evropian, Miroslav Lajçak kanë thënë fjalën e tyre. Çka u paralajmërua?
Gjatë ditëve në vijim priten diskutime të tjera në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi. Kjo, u tha nga të tri palët pas përfundimit të këtyre takimeve.
Veç kësaj, është konfirmuar se diplomatët e partnerëve ndërkombëtarë nuk erdhën duarthatë, ata sollën edhe një plan të ri për ecjen përpara.
Deri më tani, nuk dihet se çfarë përmban ky plan, por nga deklaratat e dhëna pas përfundimit të takimeve, u konfirmua që do të ketë bisedime të tjera.
Kurti
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me përfundim të takimit lëshoi një komunikatë për media ku u bën pak detaje të ditura rreth diskutimeve.
Ai përmendi planin e ri të pesë emisarëve, por edhe shprehu qëndrimin që diskutimet të vazhdojnë, madje intensivisht.
“Të pesë emisarët ofruan planin e tyre të ri për ecjen përpara, për çfarë Kryeministri shprehu falënderimet dhe vlerësimet e tij. Diskutimet duhet të vazhdojnë intensivisht.” – tha ai.
Lajçak
Fillimisht, Lajçak në Kosovë e përmendi Asociacionin e komunave me shumicë serbe, pa të cilin, tha se vendi ynë nuk ka rrugë drejt Bashkimit Evropian.
Si kryeministër i Kosovës, kryeministri Kurti ka përgjegjësi të bëjë progres për normalizimin e raporteve nëse Kosova dëshiron të bëjë progres drejt Bashkimit Evropian. Dhe këtu duhet ta theksojmë nevojën për të lëvizur në themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe pa vonesa të tjera. Pa këtë (themelimin e Asociacionit) nuk do të ketë progres në rrugëtimin evropian të Kosovës. Ne çmojmë gatishmërinë e Kurtit për të vazhduar diskutimet tona së shpejti.” - tha Lajçak.
Serbisë, emisarët ia bënë të qartë se duhet të bashkëpunojë dhe të veprojë në lidhje me mbajtjen përgjegjës e atyre që shkaktuan sulmin terrorist në veri të Kosovës.
“Dënojmë fuqishëm sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator, të gjithë përgjegjësit duhet të sillen para drejtësisë, dhe presim bashkëpunimin e plotë nga Serbia dhe veprim konkret sa i përket kësaj çështje.” – tha ai.
Krejt në fund të deklaratës së tij nga Serbia, Lajçak paralajmëroi bisedime të tjera:
“Diskutimet tona me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin Aleksandër Vuçiq do të vazhdojnë ditëve në vijim.”
Vuçiq
Edhe Vuçiq përmendi takime “të rëndësishme”. Si zakonisht, ai e quajti këtë një takim të vështirë.
“Takim i vështirë me Pesëshe. Besoj së në periudhën në ardhje do të gjejmë rrugëdalje nga kriza." - ka shkruar Aleksandar Vuçiq.
Veç kësaj ai paralajmëroi edhe “takime të rëndësishme në Bruksel ditëve në vijim”.

