Kurti viziton Policinë: Me deklaratën për të zhdukurit, Serbia pranoi krimin e zhdukjes me force
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se me Deklaratën për të zhdukurit Serbia ka pranuar hapjen e arkivave. Sipas tij pas mohimit 24-vjeçar, Serbia ka pranuar krimin e zhdukjes me forcë gjatë luftës në Kosovë.
Kështu deklaroi Kurti gjatë një vizite në Policinë e Kosovës.
“Veçoi dakordimin për hapje të arkivave nga Serbia, pasi zhdukjet me forcë gjatë luftës ishin krime të kryera nga shteti i Serbisë, pjesë e projektit gjenocidal për shfarosjen e shqiptarëve, ‘Patkoi’. Po ashtu, theksoi dakordimin për të përdorur të dhënat satelitore, LIDAR dhe teknologji tjera në zbulimin e varrezave masive potenciale në territorin e Serbisë”, thuhet në komunikatë.
Tutje thuhet se duke folur për drejtësi për viktimat dhe shoqërinë lidhur me krimet dhunës seksuale, të përdorur si armë lufte në Kosovë, kryeministri ka deklaruar se duhet shtuar angazhimi i përbashkët në tejkalimin e pengesave drejt rritjes së numrit të dënimeve nga gjykatat në Kosovë.
“Krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë nuk parashkruhen e as nuk vjetrohen asnjëherë. Kriminelët e luftës dhe urdhërdhënësit e tyre duhet nxjerrë para drejtësisë. Serbia duhet mbajtur përgjegjëse për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin në Kosovë”, citohet të këtë thënë Kurti.
Sipas komunikatës kryeministri Kurti e ka veçuar rëndësinë e zbatimit të Ligji për gjykimin në mungesë si dhe Ligjin për themelimin e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës, të cilin Qeveria e ka dërguar për miratim në Kuvend.
Sipas komunikatës Drejtoria për hetimin e krimeve të luftës në Policinë e Kosovës parashihet të ketë 41 zyrtarë hetues.