Kurti vazhdon takimet, sot priti në mëngjes pune drejtuesit e komunës së Leposaviqit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vazhduar takimet në ballkonin e hapur të Qeverisë së Kosovës.
Ai kësaj radhe është takuar për mëngjes pune me Kryetarin e Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, nënkryetaren, Marina Bogojević dhe drejtorë komunalë.
“Gjatë takimit u diskutua gjerësisht mbi qeverisjen komunale në 15 muajt e fundit, shërbimet e reja, përfshirë ato që ofrohen nga agjencitë qendrore, sikurse Agjencia e Punësimit dhe Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve, dhe praktikat e mira të vendosura me udhëheqjen aktuale. U diskutua edhe rreth sfidave të trashëguara dhe nevojën për investime kapitale për qasje në ujë të pijshëm, ndriçim publik dhe infrastrukturë, veçanërisht në fshatra dhe zona të thella të komunës.” – thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Më tej, kryetari Lulzim Hetemi, kanë veçuar rëndësinë për dëgjime buxhetore.
“Kryetari Hetemi, nënkryetarja Bogojević dhe drejtorët veçuan rëndësinë e dëgjimeve buxhetore që kanë mbajtur deri më tani me qytetarë nga radhët e komunitetit serb, boshnjak dhe shqiptar, me qëllim adresimin e kërkesave të tyre dhe planifikimit të projekteve dhe përgatitjet e kërkesave për mbështetjet nga niveli qendror.”
“Kryeministri Kurti i falënderoi drejtuesit dhe stafin e Komunës së Leposaviqit për punën dhe angazhimin e përditshëm dhe për bashkëpunimin e ngushtë me ministritë dhe Zyrën e Kryeministrit në realizimin e projekteve në interes të komunës. Bashkë me ministrat në takim, ai i ofroi kryetarit Hetemi dhe nënkryetares Bogojević, mbështetjen e tij dhe gatishmërinë për të punuar sa më afër në adresimin sa më të shpejtë të kërkesave të kësaj komune që burojnë nga nevojat e qytetarëve për vitin e ardhshëm buxhetor.” – thuhet në njoftim.