Kurti ua refuzon me rrotulla thirrjen urgjente amerikanëve për gazin natyror, flet për një ide të veten
Ndonëse nuk e dha shprehimisht si kundërshtim të hapur, Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, sinjalizoi së fundi refuzim të tërthortë ndaj planeve për ndërtimin e një infrastrukture të brendshme për Gazin e Lëngshëm Natyror amerikan në territorin e Kosovës. Qasja hezituese ndaj gazsjellësit dhe infrastrukturës lokale bie ndesh me mesazhet e drejtpërdrejta dhe kërkesat urgjente të diplomacisë amerikane në Prishtinë.
Përkundër thirrjeve nga Uashingtoni për t'u bërë pjesë e këtij rrjeti gjeostrategjik, kreu i ekzekutivit kosovar duket se po shtyn përpara alternativë tjetër: investimin jashtë kufijve, specifikisht në terminalin e Vlorës, për ta importuar më pas këtë resurs në formën e energjisë elektrike. Kjo ide, e artikuluar para zgjedhjeve, nuk u shoqërua me detaje konkrete për koston, afatet apo mënyrën e realizimit.
Në intervistën e dhënë në televizionin publik para zgjedhjeve, Kurti e zhvendosi debatin nga ndërtimi i infrastrukturës së gazit në Kosovë drejt një zgjidhjeje jashtë territorit të vendit.
Përtej kësaj qasjeje, ai madje tha se Kosova duhet të orientohet drejt shndërrimit të qymyrit të saj në gaz, në vend që ta blejë atë si lëndë të gatshme nga jashtë.
"Republika e Kosovës ka gatishmëri që të investojë në Terminalin në Vlorë dhe paramendojeni një situatë kur për shembull ne kemi një përqindje të aksioneve si Republikë e Kosovës në Terminalin në Vlorë. Dhe aty mund të vijë gazi i lëngshëm prej jashtë, të shndërrohet në energji elektrike dhe me interkoneksionin prej 400 kilowolt që kemi me Shqipërinë ta sjellim tek ne”, tha Kurti ndër tjera në këtë intervistë.
Sipas tij, importi i drejtpërdrejtë i gazit si lëndë e parë në Kosovë nuk është opsioni i preferuar i qeverisë së tij:
"Nuk kemi nevojë ta sjellim në Kosovë. Ne e sjellim në Vlorë dhe nga Vlora e marrim. Terminali në Vlorë mund të jetë një vend ku Shqipëria dhe Kosova janë bashkë sa i përket gazit të lëngshëm i cili importohet, vjen nga jashtë."
Për Shtetet e Bashkuara, përfshirja e Kosovës në projektin e gazit amerikan nuk është thjesht çështje e tregtisë së energjisë, por hap jetik për sigurinë kombëtare, pavarësinë nga gazi rus dhe integrimin e plotë rajonal.
Në një op-ed të publikuar së fundi, e ngarkuara me punë në Ambasadën e ShBA-së në Kosovë, Anu Prattipati, ka paralajmëruar se Kosova po përballet me një problem strukturor në sektorin e energjisë.
Në këtë kontekst, diplomatja amerikane ka argumentuar se Kosova duhet t’u bashkohet projekteve amerikane të gazit natyror që janë planifikuar në Ballkan. Sipas saj, GNL-ja amerikane do ta diversifikonte furnizimin energjetik të Kosovës, do t’i plotësonte burimet vendore dhe do ta forconte partneritetin ekonomik mes Kosovës dhe SHBA-së.
Prattipati e ka lidhur energjinë drejtpërdrejt me sigurinë kombëtare, duke theksuar se diversifikimi përmes gazit natyror është i domosdoshëm për një të ardhme më të sigurt.
“Kosova duhet të lëvizë shpejt për ta ndjekur këtë partneritet, sepse ndërtimi i infrastrukturës së nevojshme do të marrë kohë.”
Sipas Prattipatit, eksportet amerikane të GNL-së pritet të dyfishohen deri në vitin 2030 dhe do të kalojnë përmes projekteve rajonale si Korridori Vertikal i Gazit dhe terminali lundrues i gazit natyror në Kroaci. Ajo ka përmendur edhe mundësinë që Kosova të lidhet me gazsjellësin që po ndërtohet për të lidhur terminalin e GNL-së në Alexandroupolis të Greqisë me Shkupin në Maqedoninë e Veriut.
Aty thuhet më tej se lidhja me një projekt tashmë të planifikuar do ta shkurtonte afatin kohor dhe do t’i ulte kostot për Kosovën. Prattipati ka theksuar gjithashtu se Qeveria e ShBA-së ka mekanizma financimi për ndërtimin e infrastrukturës së gazit natyror.
Por paralajmërimi kryesor i saj lidhet me kohën. “Dritarja për t’iu bashkuar këtyre projekteve po mbyllet.”
“Vonesa në këtë vendim rrezikon që furnizimet amerikane me GNL të zotohen diku tjetër dhe mund ta lërë Kosovën si vendin e vetëm të Ballkanit Perëndimor pa qasje në GNL-në amerikane.”
Në fund, Prattipati e ka paraqitur vendimin si zgjedhje strategjike për Kosovën, duke e lidhur edhe me prioritetin e administratës Trump për uljen e varësisë së Evropës nga energjia ruse.
“Ne i bëjmë thirrje Kosovës që t’i bashkohet një partneriteti afatgjatë energjetik me Amerikën përmes GNL-së, për ta siguruar të ardhmen e saj energjetike.”