Kurti: Një ditë para sulmit në Zubin Potok, Rusia sulmoi me dronë e raketa infrastrukturën kritike në Ukrainë - NACIONALE

Kurti: Një ditë para sulmit në Zubin Potok, Rusia sulmoi me dronë e raketa infrastrukturën kritike në Ukrainë

5 muaj më parë

nga NACIONALE

Që nga sulmit terrorist në kanalin e sistemit Ibër-Lepenc me 29 nëntor, në fshatin Varagë të Zubin Potokut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur konferencën e dytë media, ku foli gjerësisht rreth pasojave potenciale. Kreu i qeverisë theksoi se ky sulm – të cilin e ndërlidhi me sulmet masive ajorore të Rusisë në infrastrukturën kritike në Ukrainë – ka pasur për qëllim dëmtimin e infrastrukturës kritike të Kosovës dhe krijimin e një situate kaotike që do të kishte efekte zinxhirore në jetën e qytetarëve dhe sigurinë kombëtare të vendit.

Kurti ka theksuar se nëse ky sulm do të kishte arritur qëllimin e tij, pasojat do të ishin katastrofike.

“Pesha e pasojave të këtij sulmi, po të arrinte qëllimin e tij, do të ishte marramendës. Ky sulm kishte për qëllim të shkaktonte dëme të pariparueshme në infrastrukturën kritike të Kosovës, duke e vënë në rrezik sigurinë kombëtare, duke çrregulluar jetën e të gjithë qytetarëve të vendit tonë.

Po të arrihej qëllimi, ky sulm terrorist do të shkaktonte potencialisht për jave të tëra ndërprerje të furnizimit me energji, duke e lënë pa energji elektrike mbi gjysmën e popullatës së Kosovës dhe ngrohje 130 mijë qytetarë të Prishtinës.

Më tej do të kishim ndërprerje të furnizimit të ujit në Shkabaj, Drenas, Shipol dhe Balincë, duke lënë pa ujë mbi 300 mijë qytetarë të Mitrovicës së Jugut, Skenderajit, Vushtrrisë, Mitrovicës së Veriut, Fushë Kosovë dhe Obiliq, e duke rrezikuar edhe për mbi 300 mijë të tjerë në Prishtinë.

Tjetra, për javë të tëra, potencialisht do të ngeleshim pa energji elektrike dhe kësisoj do të rrezikoheshin edhe shërbimet të tjera kritike që varen nga energjia elektrike sikurse mjetet e komunikimit.” – tha Kurti

Kryeministri e përshkroi këtë sulm si një akt të qëllimshëm për të shkaktuar pasiguri të gjerë dhe për të destabilizuar jetën e qytetarëve të vendit.

“Dëmet direkte financiare, vetëm nga nevoja për import të furnizimit me energji, do të ishin së paku 2.5 milionë euro në ditë e 100 mijë euro tjera në ditë për ujë. Dëmet direkte financiare, dëmet e cenimit të aktivitetit ekonomik do të ishin të jashtëzakonshme, por qëllimi i tyre ishte shkaktimi i dëmit që shumë përtej edhe atij ekonomik; çrregullimi i jetës së qytetarëve dhe rrezikimi i sigurisë sonë kombëtare.

Pra, nuk ka qenë në pyetje vetëm uji, por edhe rryma. Nuk është vetëm rryma, por edhe ngrohja. Nuk është vetëm ngrohja, por edhe telekomunikimi. Qëllim ka qenë që një pjesë e madhe e vendit tonë, në dhjetor të mgelët pa ujë, në terr, në të ftohtë dhe pa komunikim.” – tha ai.

Gjatë konferencës, Kurti bëri ndërlidhjen mes këtij sulmi dhe sulmeve ajrore të Rusisë në Ukrainë që kishin për qëllim shkatërrimin e infrastrukturës energjetike të Ukrainës.

Ai përmendi sulmin me raketa dhe dron të Rusisë në infrastrukturën kritike të energjisë në Ukrainë, i cili, tha kreu i qeverisë, ndodhi vetëm një ditë para atij në Zubin Potok.

“Si në kontekstin kohor, ashtu edhe në atë të vetë natyrës së aktit, ky sulm duket që ka ndërlidhje me sulmet masive ajrore të Federatës Ruse kundër Ukrainës, me çrast sulme këto që ishin të orientuara pikërisht kundër infrastrukturës energjetike në Ukrainë.”

“Një ditë para sulmit në Zubin Potok, forcat ushtarake ruse, me 188 projektile rakateash dhe dronësh sulmuan infrastrkturën kritike të energjisë në Ukrainë, duke lënë rreth 1 milion amvisëri pa energji në prag të stinës së dimrit. Qëllimi është që popullsia të vihet përfundi kushteve jetike të minimumit të ekzistencës dhe në këtë mënyrë të dëmtohet shëndeti jeta dhe siguria e qytetarëve.” – tha kryeministri Kurti më tej.

Lajme të ngjashme