Kurti tha se Serbia po përgatit sulme të reja, deklarohet komandanti i KFOR-it: Nuk spekuloj për ndonjë skenar - NACIONALE

Kurti tha se Serbia po përgatit sulme të reja, deklarohet komandanti i KFOR-it: Nuk spekuloj për ndonjë skenar

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Para pak ditëve, kryeministri i vendit, Albin Kurti doli para mediave dhe paralajmëroi se Serbia po përgatit sulme të reja pas atij të 24 shtatorit në Bajnskë të Zveçanit. Kjo shkaktoi shumë reagime në opinion publik. Në një intervistë të fundit për “KP”, komandanti i KFOR-it, Ozkan Uluturash është pyetur mbi këto pretendime.

Pyetja e cila iu shtrua atij nga mediumi, ishte si vijon:

“Së fundmi krerët e shteteve kanë paralajmëruar se “Serbia po përgatitet për sulme të reja”. Të tilla paralajmërime ka bërë edhe deputetja britanike, Alicia Kearns, për armatosjen e serbëve në Kosovë përmes manastireve. A ka raste të tjera? A keni një informacion të tillë? Si e shihni dislokimin e trupave shtesë të Serbisë pranë kufirit me Kosovën”.

Komandanti Uluturash së pari deklaroi që nuk do të spekulojë për ndonjë skenarë të ardhshëm, derisa vazhdoi duke deklaruar që përpjekjet e KFOR-it për siguirnë po vazhdojnë.

“Nuk do të spekuloj për ndonjë skenar të ardhshëm…Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për të parandaluar çdo përshkallëzim dhe jemi të gatshëm t’i përgjigjemi çdo sfide, duke e përshtatur qëndrimin tonë sipas nevojës, dhe duke vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.” – u shpreh ai.

Çka deklaroi Kurti?

Para pak ditësh, kryeministri i Kosovës deklaroi se Serbia veç se kishte planifikuar një sulm të ri në Zubin Potok për marrjen në kontroll të vilës së kriminelit, Milan Radojiçiq, i cili organizoi sulmin e 24 shtatorit.

Urdhri për sulmin e 24 shtatorit i planifikuar dhe organizuar nga shteti serb, ishte kumtuar në mjediset e kompanisë “Novi Pazar Put”. Automjetet arsenali ishin të përqëndruara në këtë lokacion. Kjo kompani që është e sanksionuar nga SHBA është e vëllezërve Veselinoviq dhe Radoiçiqit dhe drejtor është “Gërba” që ka marrë pjesë në luftërat e Kosovës, Bosnjës e Kroacisë, gjithashtu ka qenë drejtori i burgut të Nishit. Një muaj para sulmit në Banjskë, këtë kompani e kishte vizituar Vuçiqi, për ta përuruar ndërtimin e rrugës Rashkë-Novi Pazar. E kishte lavdëruar punën e drejtorit dhe i është referuar si njeriu më i shpejt. E përgëzoi edhe për përurimin e rrugës, tre muaj para kohe me nxitim.” - kishte deklaruar Kurti, duke treguar detaje tjera.

Aty Vuçiq tha se e ka të vështirë të gjej zgjidhje me njerëzit nga Kosova, duke mu referuar mua. Ai aty akuzonte për sulm, sepse po përgatiste sulm. Gjë që ndodhi më 24 shtator. Pas sulmit, Radoiçiq u lirua nga gjykata serbe në kohë rekorde. Ai tani po organizon sulme të tjera me pjesëtarë të Mbrojtjes Civile. Ai po mban takime me BIA-n, në ambientet e firmës Jablanovica në Rashkë po përdoren për strehimin dhe ruajtjen e automjeteve dhe mjeteve eksplozive për sulmet e ardhshme nga Radoicic dhe grupi i tij. Në këtë ndërtesë strehohen pjesëtarë të mbrojtjes civile që kryejnë vëzhgime, e që instruktor e kanë Uglejsha Jarenicin. Ata po strehohen dhe përveç akomodimit, ata paguhen rreth 2 mijë euro në muaj.” – kishte shtuar ai.

Tutje, Kurti kishte treguar edhe se kush po i drejton këto trajnime:

Trajnimet drejtohet nga ushtarak të pensionua serb, të cilët kanë grada të larta si gjeneral, kolonel e nënkolonel dhe të cilët kanë njohuri për Kosovën, të cilët mbase kanë shërbyer në ushtri edhe gjatë kohës së fundit në Kosovë. Ushtrimet janë duke i kryer për vendosjen e minave anti-tank në kushte dimërore dhe për snajper”.

Gjatë muajit nëntor 2023 ka pasur planifikime që të kryhet një sulm ndaj komunës së Zubin Potokut, me qellim marrjen e viles së Radoiçiqit që ndodhet në brigjet liqenit të Ujmanit, por këto plane janë pezulluar përkohësisht për shkak të këtyre zgjedhjeve në Serbi”.

Lajme të ngjashme