Kurti tha se Kosova po vuan nga masat e BE-së, Rizvanolli me tjetër shpjegim: Asnjë projekt s’është ndikuar - NACIONALE

Kurti tha se Kosova po vuan nga masat e BE-së, Rizvanolli me tjetër shpjegim: Asnjë projekt s’është ndikuar

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë të realizuar për TV Sllovenia gjatë forumit të Bledit, u ankua se Kosova po vuan nga masat e BE-së. Madje, ai përmendi komunitetin e biznesit, por edhe shërbimet shtetërore si sektorët më të prekur nga kjo vuajtje prej masave ndëshkuese të BE-së. Por rreth masave të BE-së, një vartëse e tij ka pasur një qëndrim më ndryshe nga ai i Kurtit.

Artane Rizvanoli, ministre e Ekonomisë, gjatë një interviste në Tëvë 1, ka dhënë një deklaratë që bie ndesh me qëndrimin e kryeministrit Kurti. Për dallim nga ankesa për vuajtje e Kurtit, Rizvanolli është shprehur, “si njeri që udhëheq një dikaster shumë të rëndësishëm”, asgjë nuk është duke u penguar nga masat.

“Këto janë masa të cilat janë duke vijuar, të cilat nuk ndikohen. Në fakt, nuk ka ndonjë projekt, së paku që lidhet me Ministrinë tonë, edhe të tjera përtej që unë e di, që në mënyrë direkte dhe që tani për tani ndikohet…Nuk ka asnjë projekt që aktualisht është duke u ndikuar dhe kjo duhet të jetë e qartë.” – tha ajo fillimisht.

Pas kësaj fjalie, ajo e hodhi fajin te opozita, të cilën e akuzoi për bllokim të marrëveshjeve ndërkombëtare.

“Nëse opozita na tregon se si masat po na dëmtojnë, unë po ju them që masat, si njeri që udhëheq një dikaster shumë të rëndësishëm, ku ka shumë fonde, unë po ju them që nuk është asgjë në punën tonë nuk është duke u ndalur ose duke u penguar nga masat.” – tha ajo fillimisht.

“Aktualisht çfarë është duke u penguar është për shkak të problemeve politike, për shkak të mosbashkëpunimit të opozitës për t’i votuar marrëveshjet ndërkombëtare.” – tha ministrja Rizvanolli.

Por çfarë tha Kurti?

Dje gazeta Nacionale shkroi në lidhje me një intervistë që Kurti e dha për “Tv Slovenia”, e cila u botua të mërkurën që shkoi, por që ishte realizuar gjatë kohës që Kurti po qëndronte në Forumin e Bledit. Në njërën nga pyetjet, Kurti është pyetur edhe për masat ndëshkuese të BE-së.

“Kritikët ju akuzojnë se Kosova do të humbasë deri në 500 milionë euro nga fondet evropiane IPA për shkak të politikës suaj të ashpër ndaj veriut të Kosovës. Çfarë thoni për këtë?” – ishte pyetja e “Tv Slovnenia”.

Sipas Kurtit, Qeveria nuk është përgjegjëse për këto masa, të cilat, e përmendi se janë ende në fuqi.

“Përkundrazi, ne po luftojmë atje kundër ekstremistëve të dhunshëm që sulmuan ushtarët e KFOR-it, policët e Kosovës dhe gazetarët. Është e vërtetë që ne po vuajmë për shkak të këtyre sanksioneve. Kryesisht komuniteti ynë i biznesit, por edhe shërbimet shtetërore. Për shembull, Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit është ngrirë, megjithëse ne e kemi përmbushur atë në 69 për qind. Huatë dhe grantet si dhe financimet nga fondet e Bashkimit Evropian janë gjithashtu në rrezik. E gjithë kjo u ndërpre.” – deklaroi Kurti fillimisht.

Gjatë përgjigjës së tij, Kurti nuk e komentoi humbjen e pretenduar të 500 milionëve. Por ai bëri thirrje sërisht që masat të hiqen.

Lajme të ngjashme