Kurti takohet me O’Brien, i tregon detajet pas sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit - NACIONALE

Kurti takohet me O’Brien, i tregon detajet pas sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit

5 muaj më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të mërkurën është takuar me Ndihmës Sekretarin për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentit e Shtetit, James O’Brien.

Zyra e kryeministrit përmes një komunikate për media, ka njoftuar se gjatë takimit është diskutuar për sulmin terrorist të 29 nëntorit në Ibër Lepenc.

“Temë e diskutimit ishin marrëdhëniet dypalëshe dhe zhvillimet aktuale me interes të përbashkët, me theks te sulmi terrorist i 29 nëntorit ndaj infrastrukturës kritike të Republikës së Kosovës. Kryeministri ndau me z.O'Brien detajet e sulmit të fundit terrorist mbi infrastrukturën kritike, përkatësisht në kanalin e Ibër-Lepencit si dhe reagimin e institucioneve shtetërore për sanimin e dëmit dhe sigurimin e furnizimit me shërbime esenciale. Sulmi i 29 nëntorit, ishte sulm mbi popullsinë civile meqë përmes tij u rrezikua që më shumë se gjysma e popullatës së vendit të mbeten pa energji elektrike dhe pa ujë, u shpreh kryeministri.” – thuhet në njoftim.

Kurti, sipas zyrës së tij, i ka folur edhe për konfiskimet pas rastit:

“Ndërkohë që hetimet për sulmin e fundit po vazhdojnë, kryeministri nënvizoi që në mesin e konfiskimeve të bëra në lidhje me rastin, krahas armatimit dhe municioneve, janë gjetur edhe 74 emblema ushtarake, prej të cilave 20 janë të njësive të ndryshme ushtarake ruse, përveç atyre serbe”.

Mes tjerash, thuhet se Kurti ka folur edhe për rëndësinë e arrestimit dhe ekstradimit të terroristit serb, Milan Radojiçiq.

“Gjatë këtij takimi, kryeministri theksoi rëndësinë e arrestimit dhe ekstradimit të kryekriminelit dhe kryeterroristit Millan Radoiçiq, për të cilin Prokuroria tashmë ka një aktakuzë prej 160 faqesh për të dhe grupin e tij, dhe i cili vazhdon të paraqesë rrezik për sigurinë e vendit dhe të rajonit për sa kohë që endet i lirë në Serbi dhe ka mbështetjen e Presidentit Aleksandar Vuçiq dhe aparatit shtetëror atje.” – thuhet mes tjerash.

Lajme të ngjashme