Kurti takohet me Borrell e Lajçak në Mynih, kërkon nënshkrimin e marrëveshjeve me Serbinë - NACIONALE

Kurti takohet me Borrell e Lajçak në Mynih, kërkon nënshkrimin e marrëveshjeve me Serbinë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me kryediplomatin evropian, Josep Borrell dhe emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Sipas një njoftimi të Zyrës së Kryeministrit, në takim është folur për dialogun, zbatimin e marrëveshjeve dhe normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka zhvilluar një takim bilateral në Konferencën e Sigurisë në Mynih me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, njëherësh edhe Zëvëndëspresident i Komisionit Evropian, Josep Borrell, si dhe Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Në takim u bisedua për procesin e dialogut, zbatimin e marrëveshjeve të dakorduara, dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.” thuhet në komunikatë.

Tutje, Zyra e Kryeministrit deklaron se në dritën e shkeljeve të vazhdueshme nga Serbia si dhe sulmit terrorist në Bajnskë, nënshkrimi i marrëveshjeve është bërë “i nevojshëm”.

“Në dritën e shkeljeve të vazhdueshme nga Serbia, sulmit terrorist dhe paramilitar në Banjskë ndaj integritetit territorial të Kosovës dhe sigurisë kombëtare, letrave dhe deklaratave të vazhdueshme publike për mosdetyrimin ligjor të marrëveshjes për Serbinë dhe për moszbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të arritur në Bruksel dhe Aneksit të saj në Ohër, nënshkrimi i marrëveshjeve është bërë i nevojshëm si garancë e respektimit dhe zbatimit të plotë të tyre, drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.” – shkruan aty.

Në fund, thuhet se Kurti ka kërkuar heqjen e masave “të padrejta” të vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës.

Lajme të ngjashme