Kurti s’e ruan më ambientin: Kur u bë kryeministër shkonte në këmbë në zyrë, sot disa metra i bëri me dy xhipa
Ishte viti 2020 dhe nuk kishin kaluar më shumë se 20 ditë prej kur Albin Kurti ishte zgjedhur për herë të parë kryeministër i Kosovës. Disa fotografi të publikuara nga vetë ai ishin shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, sidomos nga militantët e Lëvizjes Vetëvendosje; lideri po shkonte në zyrë në këmbë.
Fotografitë, që dukeshin sikur të ishin bërë nga ndonjë “paparazzi”, ku Kurti shihej duke ecur e duke përshëndetur qytetarë rrugës, i kishte shpërndarë në rrjetin social “Instagram”.
“Ambienti është jeta. Prandaj, le ta ruajmë”, – thoshte lideri i VV-së në këtë postim, duke theksuar fillimisht faktin se kishte shkuar në zyrë në këmbë.
“Sot lëviza në këmbë nëpër qytet dhe shkova në zyrë pa makinë. Ambienti është jeta. Prandaj, le ta ruajmë. Sa herë është e mundur duhet ta shmangim lëvizjen me automjet”, – kishte shkruar Kurti, transmeton Nacionale.
Pesë vite më vonë, shohim një Albin Kurti tjetër. Jo vetëm që nuk shkon më në punë në këmbë, por siç duket, nuk po e ruan më as ambientin.
Kryeministri në largim, që tashmë e ka përfunduar mandatin, nuk po arrin të zgjedhë jo Qeverinë, por as kryeparlamentarin. E propozuara e tij për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, po dështon tash e 37 herë të votohet për këtë pozitë.
Rrugën për në Kuvend, Kurti shpesh e ka bërë nga objekti i Qeverisë tek ai i Kuvendit. I rrethuar me mbi gjashtë truproja, ndryshe prej kohës kur shkonte në punë në këmbë, Kurti në vazhdimësi ka refuzuar t’u përgjigjet gazetarëve.
Ndërkohë, të mërkurën ai pati një rrugë tjetër. Kurti, para se të niste vazhdimi i seancës konstituive, mori pjesë në një ngjarje të organizuar në një prej hoteleve në kryeqytet.
Hoteli në fjalë ndodhet fare pranë sheshit kryesor të Prishtinës dhe shumë pak hapa larg nga objekti i Kuvendit të Kosovës.
Kurti jo vetëm që u rrethua me truproje, por këtë rrugë tepër të shkurtër e bëri me xhipat e zinj.
Derisa po shkonte te xhipi i zi, gazetarët e pyetën nëse do të merrte pjesë në seancë si kryeministër apo si deputet.
Lideri i VV-së nuk u përgjigj, megjithatë, të martën foli pak rreth kësaj çështjeje:
“Unë po flas këtu dhe nuk po flas në Kuvend, sepse atje jam njëri nga 48 deputetët e subjektit fitues. Ndërkaq këtu jam si kryeministër në detyrë.”