Kurti e Osmani takohen me presidentin e Francës Emmanuel Macron
Në kryeqytetin e Francës, Paris, do të mbahet Forumi i Paqes. Kryeministri i vendit, z. Albin Kurti, ka palajmëruar prej mbrëmë se “ndoshta” në magjinat e këtij Forumi do ta takojë presidentin e Republikës së Serbisë, z. Aleksandër Vuçiq. Por, ai nuk ka përmendur as me "ndoshta" presidenten Vjosa Osmani me të cilën janë takuar tashmë me presidentin francez Emmanuel Macron.
Në ditën e djeshme u bë e ditur se edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kishte udhëtuar për në Paris.
Kurti
Mbrëmë, kryeministri i vendit njoftoi në Facebook si vijon: “...ndoshta mund të ketë edhe një takim trilateral me presidentin e Serbisë i cili po ashtu është ftuar atje. Unë me vete do të kem ekipin tim gjashtëanëtarësh nga kryeministria.”
Si duket, as kryeministri nuk e ka ditur se në ekipin e tij do të përfshihej edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, megjithëse në faqen e Forumit ishte bërë e ditur se ajo do të ishte mes folësve.

Osmani
Gjatë ditës së sotme, Presidenca lëshoi një komunikatë ku tregoi se Osmani ishte ftuar së bashku me Zotërinë e parë, z. Prindon Sadriu që të merrte pjesë në pritjen e organizuar nga Presidenti Macron.
Presidentja e vendit ka qëndruar përgjithësisht e heshtur në debatin e fundit në vend në lidhje me kërkesat e përsëritura të ShBA-ve dhe partnerëve tjerë ndërkombëtarë për shtyrjen e vendimit për targat. Ajo ka qëndruar e heshtur edhe në lidhje me planin franko-gjerman, e të cilin nuk dihet nëse e ka parë.
Burime i kanë thënë Nacionales se presidentja Osmani do të zhvillojë një takim me presidentin Macron gjatë ditës së sotme.
PËRDITËSIM: Tashmë, presidentja Osmani është takuarme presidentin e Francës Emmanuel Macron së bashku me presidentin e Kosovës, Albin Kurtin.
Forumi
Prioritetet e këtij Forumi janë si vijon: “Menaxhimi i mungesave nga multikrizat mbi popullësitë; bashkëpunimi përmes konfliktesh; rimendimi i globalizimit në një botë të polarizuar; Klima katalizuese dhe zgjedhjet ambientale; sigurimi i një bote më të sigurtë digjitale; nxitja e shoqërive më të drejta dhe më përfshirëse.
Mes folësve ndërkohë shkruhet se do të jenë edhe presidenti i Francës, presidenti i Argjentinës, presidenti i Kolumbisë dhe Mbretëresha e Jordanisë.
Por, aty do të flasin edhe të tjerë si kryediplomati i Bashkimit Evropian Josep Borrell, dhe Zëvendës-Kryesuesi i Fondacionit për Shoqëri të Hapur, Alex Soros.
Në këtë Forum edhe më herët kishim marrë pjesë liderë politikë të Kosovës, siç kishte qenë rasti me ish presidentin Hashim Thaçi.
