Kurti reagon për tensionet në veri: Agresionit do t'i përgjigjemi me gjithë fuqinë që kemi - NACIONALE

Kurti reagon për tensionet në veri: Agresionit do t'i përgjigjemi me gjithë fuqinë që kemi

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas deklaratës së Presidentit të Serbisë dhe Kryeministrisë së Serbisë për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë.

Kurti përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se Serbia duan një kthim të dyfishtë, kthimin në kohën e Milosheviqit dhe që çështja e Kosovës të kthehet në OKB sa më larg BE-së.

“Ka disa ditë që Serbia kërcënon Kosovën me agresion. Presidenti dhe kryeministrja e Serbisë bëjnë thirrje për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë. Një mijë ushtarë thonë, duke u thirrur në Rezolutën 1244 (1999) të KS të OKB-së. Ata duan një kthim të dyfishtë. E para, kthim në kohën e Milosheviqit dhe të luftës. Së dyti, që çështja e Kosovës të kthehet në OKB dhe sa më larg BE-së. Si reagim ndaj propozimit të BE-së të mbështetur nga Franca e Gjermania (dhe ShBA-të), duan kthim te KS i OKB-së ku ndodhet vetoja e Rusisë (dhe Kinës)”, ka shkruar Kurti.

Ai tutje ka thënë se ne nuk duam konflikt, ne duam paqe dhe progres, por agresionit do t’i përgjigjemi me gjithë fuqinë që kemi.

“Kosova është shtet evropian, demokratik dhe pro-amerikan. Me këtë udhëheqje që ka, Serbia është autokratike, pro-aziatike dhe luftënxitëse. Ne nuk duam konflikt, ne duam paqe dhe progres, por agresionit do t’i përgjigjemi me gjithë fuqinë që kemi. Tash që as targat e automjeteve dhe as datën e zgjedhjeve nuk mund t’i përdorin si pretekst, strukturat ilegale të Serbisë të shndërruara në banda kriminale u zbuluan në etjen e tyre për zjarr e gjak”, ka thënë tutje Kurti.

Ai gjithashtu ka shkruar se çdo mos dënim i vendosur nga ana e BE-së dhe ShBA-ve i kësaj dhune të orkestruar do të inkurajojë Beogradin zyrtar për më shumë nxitje për destabilizim të Kosovës.

“Çdo mosdënim i vendosur nga ana e BE-së dhe ShBA-ve i kësaj dhune të orkestruar do të inkurajojë Beogradin zyrtar për më shumë nxitje për destabilizim të Kosovës. Ministri i brendshëm Sveçla është në kontakt me Komandantin e KFOR-it Ristuccia. Barrikadat e kriminelëve me maska në veri duhet të hiqen menjëherë. Kosova është vend i qytetarëve të lirë e punëtorë, pa dallim etnie e feje, gjinie e moshe. Kriminelët dhe rusofilët do të dështojnë. Republika e Kosovës do të fitojë”, ka përfunduar Kryeministri Kurti.

Lajme të ngjashme