Kurti publikon mbi 45 fotografi nga vizita në Austri: Marrëdhëniet tona bilaterale janë të shkëlqyeshme
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përsëri ka folur për vizitën në Austri. Kësaj radhe ai ka zgjedhur rrjetin social Facebook për të treguar mbi 45 fotografi nga kjo vizitë.
Kurt ka thënë se është i ndëruar me mikpritjen e kancelarit austriak, Karl Nehammer.
“E falënderova Kancelarin Nehammer për ftesën e tij, bashkëpunimin e afërt dhe mbështetjen e hapur për Republikën e Kosovës, posaçërisht në integrimin evropian, dhe rrugëtimin e Qeverisë sonë reformiste.” – ka shkruar ndër të tjera Kurti.
Shkrimi i tij:
I nderuar me mikpritjen e Kancelarit austriak, Karl Nehammer në vizitën time të parë zyrtare për këtë vit, së bashku me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku. Austria është mike e ngushtë dhe partnere e rëndësishme e Kosovës. Marrëdhëniet tona bilaterale janë të shkëlqyeshme. E megjithatë ka vullnet të dyanshëm që ato të thellohen edhe më shumë sa në rrafshin politik, aq në atë ekonomik e kulturor. E falënderova Kancelarin Nehammer për ftesën e tij, bashkëpunimin e afërt dhe mbështetjen e hapur për Republikën e Kosovës, posaçërisht në integrimin evropian, dhe rrugëtimin e Qeverisë sonë reformiste.
Gjatë qëndrimit tim njëditor në Vjenë, gjithashtu mora pjesë në diskutimin e organizuar nga Akademia Diplomatike e Vjenës, Instituti Austriak për Politika Evropiane dhe të Sigurisë dhe Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri, me temë "Ballkani Perëndimor: pjesë kyçe e paqes së qëndrueshme në Evropë". Aty, në prani të akademikëve, diplomatëve, ambasadorëve dhe studentëve pata mundësinë të shpalosë historinë tonë, prezantojë të arriturat tona si shoqëri, shtet dhe Qeveri, dhe të ndajë me ta qëndrimet e Republikës së Kosovës karshi zhvillimeve gjeopolitike në kontinentin tonë.