Kurti pret përgjigje nga Thaçi me shokë prej vizitës së Albulena Haxhiut në Hagë - NACIONALE

Kurti pret përgjigje nga Thaçi me shokë prej vizitës së Albulena Haxhiut në Hagë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Fundi i marsit do ta gjejë ministren e drejtësisë, Albulena Haxhiu, në Hagë. Ajo atje do t’i takojë ish-pjesëtarët e UÇK-së që për gati 2 vjet po mbahen në paraburgim. Bashkë me të do të shkojnë edhe kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi dhe nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci. Një vizitë e ngjashme ishte realizuar nga Ministria e Drejtësisë edhe në shtatorin e vitit 2021. Por disa prej krerëve të UÇK-së nuk pranuan t’i takojnë. A do t’i refuzojnë edhe këtë herë? Gazeta Nacionale sjell detaje.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Ish-kryeparlamentari, Kadri Veseli. Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Nasim Haradinaj. Këta tre ish-udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës vitin e kaluar nuk i pranuan në takim delegacionin e Ministrisë së Drejtësisë që kishte udhëtuar drejt Hagës. E në këtë muaj, një vizitë e tillë do të realizohet sërish. Por këtë herë, atje do të udhëtojë ministrja Albulena Haxhiu.

Ditëve të fundit madje, janë shtuar deklarimet zyrtare të qeverisë në mbrojtje të krerëve të UÇK-së. Madje, Albin Kurti foli për ata disa herë, por pa ua përmendur emrat.

“Unë shumë prej tyre i kam pasur kundërshtarë politikë – nuk e di çka mendojnë ata për mua – por ky paraburgim është i dëmshëm!”, tha Kurti në RTK.

“Së pari nuk besoj në formulimin ndërmarrje e përbashkët kriminale, ky është pretendim i prokurorisë, të cilin unë nuk e besoj, së dyti kur thuhet ndërmarrje e përbashkët kriminale, nga marsi i viti 1998, kur ne e kemi epopenë e UÇK-së, kjo e bën edhe më të pabesueshëm këtë etiketë, dhe së treti u zgjat paraburgimi shumë. Së shpejti bëhet një vit e gjysmë në paraburgim, edhe unë kam qëndruar shumë, edhe në kohën e okupimit të Serbisë dhe pasluftës, kur ishim si robër lufte”, është shprehur Kurti.

Por, a do t’i takojnë këtë herë?

Gazeta Nacionale ka provuar të kontaktojë zyrtarisht me të gjitha ekipet mbrojtëse dhe familjarët e të akuzuarve në Hagë, nëse krerët e UÇK-së do ta pranojnë në takim ministren Haxhiu. Por, pjesa më e madhe e tyre nuk kanë pranuar të komentojnë.

Megjithatë, një burim i afërt nga këto zhvillime ka treguar për Nacionalen, se kjo varet nga zhvillimet që ndërlidhen me procesin gjyqësor në Hagë. Nëse ka takime me ekipet mbrojtëse, atëherë takimi me delegacionin e Ministrisë së Drejtësisë mund të bëhet i pamundur.

“Fillimisht duhet të bëhet kërkesa. I paraburgosuri me vullnetin e tij vendos. Por, ata kanë punë me avokatë. Nëse avokatët vijnë nga Amerikë e kanë seanca konsultative me mbrojtës, atëherë është e vështirë”, ka thënë ky burim për Nacionalen në kushte anonimiteti.

Herën e parë delegacionin e MD-së nuk e priti në takim as Nasim Haradinaj. Por, gazeta Nacionale nga burimet pranë nënkryetarit të OVL-UÇK-së ka mësuar se ndryshe mund të bëhet këtë herë.

Këtë herë kanë me u taku, pasi pritet të jetë vizitë zyrtare. Nasimi do t’i takojë”, ka thënë ky burim.

Pse krerët e UÇK-së e kishin bojkotuar delegacionin e ministrisë?

Nasim Haradinaj gjatë seancave gjyqësore që u zhvilluan në Hagë, kishte thënë një sqarim pse nuk e priti në takim delegacionin e Ministrisë së Drejtësisë.

Kërkesa e Ministrisë së Drejtësisë që është bërë këtu, kam qenë i pari që e kam refuzu e nuk jam takuar me ata, më ka ardhur si kërkesë familjare. Kurse vizita e avokatit të popullit të juaj, më është caktuar si zyrtare”, kishte thënë Haradinaj.

Përderisa Nasim Haradinaj refuzimin e bazoi në përcaktimin e vizitës dhe marrjen e minutave nga vizitat familjare, për ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli, arsyet zyrtarisht nuk dihen. E në anën tjetër, ish-presidenti Hashim Thaçi kishte dhënë një rrëfim për këtë çështje.

Thaçi i kishte dhënë një qëndrim për këtë çështje, gazetarit nga Shqipëria Mero Baze, gjatë një vizite të këtij të fundit në Hagë. Baze në një shkrim të gjatë ku e kishte përshkruar këtë vizitë të Thaçit, kishte treguar se çfarë i kishte thënë ish-presidenti për refuzimin e delegacionit të Ministrisë së Drejtësisë.

“Ato nuk erdhën të interesohen për ne, por donin të përdornin takimin me mua, në kulmin e fushatës elektorale në Kosovë. Qeveria e Kosovës nuk na ndihmoi duke na sjellë kafe apo duke na pyetur a u dhemb koka këtu ku jemi. Këto i sigurojmë vetë. Ata na ndihmojnë me qëndrime publike, por pikërisht nga këto qëndrime na kanë dëmtuar sa kanë mundur. Përveç qeverisë së Shqipërisë, askush nuk na ka ndihmuar”, thuhej në shkrimin e Bazes.

Rivaliteti politikë në Kosovë e akuzat të bëra edhe publikisht në Kuvendin e Kosovës nga eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje, po del se ende nuk po harrohen nga të akuzuarit në Hagë.

Sqarimi i ministres Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një konferencë për media gjatë ditës së djeshme, dha detaje për vizitën që do ta realizojë në Hagë. Ajo e konfirmoi që kërkesat për t’i takuar i kanë bërë për të gjithë. Megjithatë, pa e ditur nëse kërkesat e tyre do t’i pranojnë të gjithë ata që janë në paraburgim.

Duke sqaruar arsyet e refuzimit në herën e parë, Haxhiu tha se përplasjet politike pasluftës nuk duhet të jenë pengesë. Pasi siç tha ministrja e drejtësisë, lufta e UÇK-së i bashkon të gjithë.

“Unë bashkë me Komisionin për Legjilacion dhe nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci, kemi planifikuar ta kemi një vizitë në Hagë dhe është e vërtetë që disa prej tyre nuk e kanë pritur Ministrinë e Drejtësisë në vizitë, mirëpo si Ministri e Drejtësisë e kemi për obligim që të bëjmë kërkesa për të gjithë. Sa i përket luftës së UÇK-së kemi një qëndrim. Lufta ka qenë luftë e drejtë për çlirim. Problemet e pasluftës politike me ta nuk më bëjnë mua që mos të kërkoj një takim me ta”, tha Haxhiu.

S’ka vizitë zyrtare për ministren Haxhiu – vetëm familjare

Megjithatë, edhe këtë herë vizita nga delegacioni i Ministrisë së Drejtësisë, pritet të llogaritet si familjare, e në këtë rast të akuzuarve t’iu merren minutat nga vizitat, që potencialisht do t’iu vinin nga familja.

Kështu të paktën ka lënë të nënkuptohet zyra për informim e Dhomave të Specializuara. Në një përgjigje për gazetën Nacionale, Gjykata Speciale ka treguar se si është e përcaktuar çështja e vizitave në Qendrën e Paraburgimit.

“Për arsye të privatësisë, ne nuk mund të ofrojmë informacion në lidhje me kërkesat specifike të vizitorëve ose vizitat e të paraburgosurve. Si çështje e përgjithshme, Udhëzimi mbi Vizitat dhe Komunikimet bën dallimin ndërmjet vizitave personale dhe vizitave speciale. Vizitat speciale përfshijnë ato nga Ombudspersoni i Dhomave të Specializuara dhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, si dhe vizitat konsullore, vizitat e një gjyqtari, Sekretarit ose anëtarëve të stafit që veprojnë në emër të tyre. Të gjitha vizitat e tjera trajtohen si vizita personale”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Speciale.

Nëse vetëm llogaritet vizita e ministres Haxhiu si familjare, atëherë njëjtë siç ndodhi herën e parë, edhe këtë herë mund të ketë të akuzuar që nuk do t’i shpenzojnë minutat e takimeve familjare, për takim me delegacionin e Ministrisë së Drejtësisë.

Lajme të ngjashme