Kurti pret në takim Atiqin, ia siguron mbështetjen e plotë të Qeverisë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka pritur në takim kryetarin e Komunës së Mitrovicës Veriore, Erden Atiq, të cilit i ka siguruar mbështetjen e plotë të qeverisë qendrore për kërkesat dhe projektet e kësaj komune.
Në komunikatën për medie të Kryeministrisë thuhet se Atiq e ka njoftuar kryeministrin se janë duke punuar me intensitet të lartë për të propozuar dhe realizuar projekte që përmirësojnë mirëqenien e qytetarëve dhe shërbimet ndaj tyre.
“Duke i uruar punë të mbarë dhe mirëseardhje, kryeministri Kurti i siguroi mbështetjen e plotë kryetarit Atiq nga qeveria qendrore për kërkesat dhe projektet e kësaj komune, me qëllim zhvillimin ekonomik lokal dhe shërbimet më efikase ndaj qytetarëve. Komuna e Mitrovicës Veriore, është e hapur dhe transparente, drejtorët komunalë janë përzgjedhur për të përfaqësuar frymën multietnike dhe bashkërisht po punojnë me përkushtim, pa përjashtim dhe me profesionalizëm”, është thënë në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.