Kurti pret në takim ambasadorin e ri të Shqipërisë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur sot në takim ambasadorin e ri të Shqipërisë, Petrit Malaj.
Zyra e Kryeministrit përmes një komunikate për media, ka njoftuar që Kurti e përgëroi ambasadorin për detyrën e re, ndërsa u diskutua për bashkëpunimin mes dy vendeve.
“Kryeministri Kurti e përgëzoi ambasadorin për detyrën e re. Ai vlerësoi marrëdhëniet vëllazërore mes dy shteteve tona, duke theksuar rëndësinë e thellimit dhe avancimit të bashkëpunimit tonë. Biseduan për rajonin e Ballkanit Perëndimor, ku bashkëpunimi midis shteteve duhet të jetë i bazuar në demokraci e siguri, në orientimin dhe vlerat e NATO-s dhe BE-së.” – thuhet në komunikatë.
Tutje, thuhet se marrëdhëniet mes Kosovës e Shqipërisë kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve.
“Marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, kanë sjellë nënshkrimin e gjithsejtë 184 marrëveshjeve, protokolleve e memorandumeve.” – thuhet tutje.
Në fund, në komunikatë shkruan:
“Ndërkaq, ambasadori Malaj shprehu përkushtimin e tij për të çuar më tej marrëdhëniet tona të shkëlqyera. Ai theksoi që ndihet i nderuar dhe i lumtur që do të shërbejë në Kosovë.
Duke i uruar suksese në këtë angazhim të ri, Kryeministri Kurti e falenderoi ambasadorin Malaj për takimin e bisedën e frytshme.”