Kurti po e krijon Fondin Sovran, bashkëpunon me organizatën që bëri draft-statutin e 'Zajednicës'
Fondi Sovran ishte ndër premtimet kryesore të Vetëvendosjes në zgjedhjet e fundit. Tashmë kur kanë kaluar dy vite që nga premtimi, Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga kryeministrit, Albin Kurti, ka bërë disa hapa në realizimin e këtij premtimi. Kurti të dielën më 7 maj mori pjesë në konferencën për lansimin e këtij Fondi. Aty ishte edhe FES-i. Çka tha Kurti dhe çka është Fondi Sovran?
Çka tha Kurti?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti theksoi se qeveria e tij është afër themelimit të Fondit Sovran.
Gjatë konferencës për lansimin e Fondit Sovran, Kurti shpjegoi më shumë nga ky fond, duke thënë se më anë të tij do të ketë stablizim të ekonomisë së Kosovës.
Ashtu siç edhe pritej, Kurti ka potencuar që në kuadër të Fondit Sovran do të futen ndërmarrjet publike të vendit, që sipas tij, qëllimi është që të rriten investimet.
“Tani kur Projektligji ka kaluar konsultimet publike, tanimë jemi një hap më afër për miratimin e tij. Një nismë e tillë do të rezultojë me një stabilizim të ekonomisë përmes diversitetit, krijimin e profitit të shtetit përmes investimeve të mençura dhe me gjenerim të pasurisë për gjeneratat që vijnë.” – citohet të ketë thënë Kurti.
“Ndërmarrje tona publike do të bëhen pjesë integrale e Fondit me qëllim të rritjes së investimeve të nevojshme për zhvillim ekonomik. Krahas fuqizimit të ndërmarrjeve publike kemi punuar në fuqizimin e rritjes ekonomike.” – ka thënë ai.
Kush mori pjesë?
Konferenca për lansim e Fondit Sovran ishte bashkëorganizim i Zyrës së Kryeministrit dhe Fondacionit Friedrich Ebert Stiftun.
“Friedrich Ebert Stiftung” është organizata që kishte punuar edhe një draft-statut për Asociacionin, që ishte publikuar më datë 30 janar të këtij viti.
René Schlee, drejtor ekzekutiv i FES-it, ka përkrahur krijimin e Fondit Sovran.
“Ne gjithmonë besojmë shume se ky do të jetë një hap domthenes për shtetin e Kosovës dhe të krijojë një lloj rrjeti ekonomik të zhvillimit të qëndrueshëm. Besojmë se do të jetë bazë e qëndrueshme për zhvillimin e Kosovës dhe për një shoqëri të drejtë. Për këtë arsyeje jemi mbledhur dhe i kemi kushtuar vëmendje, kam kënaqesinë se themelimi i këtij fondi është bashkëpunim i frytshëm.” – ka thënë Schlee.
Çka është Fondi Sovran?
“Fondi Sovran do t’i marrë nën pronësi asetet strategjike të Republikës së Kosovës, për t’i valorizuar ato, për mundësimin e investimeve të jashtme dhe qasjen në tregje të huaja të kapitalit.” – thuhet në plan-program.
Fondi Sovran pritet t’i barten ndërmarrjet publike, si KEK-u, Trepça, Posta, Trainkos dhe Infrakos.
Sipas projekligjit, “Republika e Kosovës është pronare e vetme e Fondit, me njëqind për qind (100%) të aksioneve.”
Pas krijimit të Fondit Sovran është paraparë shuarja e Agjencisë Kosovare të Privatizimi. Aktualisht kjo Agjenicë vazhdon të jetë funksionale dhe vazhdon shitjen e asteve të ndërrmarrjeve publike të ndryshme.
Sipas projektligjit i cili deri më 2 prill ka qenë në konsultime publike, Fondi Sovran do të ketë një buxhet prej 20 milionë eurove.
Fondi Sovran gjithashtu parasheh edhe themelimin e ndërmarrjeve të reja dhe investimet në tregjet financiare brenda dhe jashtë vendit.
Fondi Sovran do të ketë një Bord mbikëqyrës i cili “është organ drejtues që përfaqëson interesat e aksionarit dhe kujdeset për Fondin dhe asetet e Fondit.”


