S’dihet kur jetësohet Fondi Sovran, opozita e ekonomistët e kritikojnë atë - NACIONALE

S’dihet kur jetësohet Fondi Sovran, opozita e ekonomistët e kritikojnë atë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Themelimi i Fondit Sovran ishte ndër premtimet që kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, e theksonte shumë gjatë garës elektorale. Nëpërmjet këtij Fondi, shpjegonte Kurti, do të zëvendësohej Agjencia Kosovare e Privatizimit duke sjellë transformim të thellë ekonomik të Kosovës.

E pak para se të mbushte një vit në krye të ekzekutivit kosovar, Qeveria e udhëhequr nga Kurti miratoi koncept dokumentin që i hap rrugë themelimit të Fondit Sovran.

Në dokumentin 79 faqësh, përveç përshkrimit të gjendjes së tanishme ekonomike dhe aseteve të AKP-së, analizohen modele të ndryshme të fondeve investive.

Për këtë fond, fjalë të mëdha kishte kryeminsitri Kurti duke thënë se do të orientojë investimet në ekonomi.

Fondi Sovran do të jetë një mekanizëm i ri dhe efektiv për orientimin e investimeve, përmirësimin e qeverisjes korporative, ngritjen e konkurrueshmërisë dhe cilësisë, rritjen e shkathtësive dhe të punësimit, si dhe eliminimit të keqpërdorimit dhe korrupsionit në sektorin e ndërmarrjeve publike”, tha Albin Kurti në hapjen e takimit të Komisionit Ekzekutiv për Fondin Sovran.

Gazeta Nacionale ka dërguar pyetje në adresë të kryetarit të Grupit Punues për hartimin e koncept dokumentit, Besnik Pula.

Por, i njëjti nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet se kur pritet jetësimi i këtij Fondi dhe ndikimin që parashikohet të ketë në rritjen e mirëqenies së qytetarëve.

Pjesë e grupit punues rreth koncept dokumentit për Fondin Sovran, ishte edhe Edison Jakurti, që gjatë Qeverisë Kurti I mbante postin e zëvendësministrit të Ekonomisë.

Sipas Jakurtit Fondi Sovran është një alternativë për privatizimin e egër të pas luftës.

Si i tillë, Fondi Sovran shënon një pikë kthese dhe mundësi të jashtëzakonshme për ndryshimin e modelit ekonomik në sektorin publik. Ndërmarrjet publike më nuk trajtohen as si instrumente për të përmbushur objektiva meskine politike, e as nuk janë barrë për buxhetin publik. Atyre u hapet një horizont i ri për t’u zhvilluar e për të zhvilluar”, shkruante Jakurtaj në një shkrim.

Megjtihatë, për ekonomistin e VV-së ky fond nuk i zgjidh të gjitha problemet ekonomike që ka Kosova, por është një “kthesë e ndryshim në modelin ekonomik që ka dominuar gjer tani”.

E krejt ndryshe mendon ekonomisti Lekë Musa.

Sipas tij hartuesit e këtij Fondi nuk e kanë idenë së çfarë po krijojnë dhe se e gjitha që dëshirojnë është të draftojnë një fond me emrin sovran.

Sipas Lekës, në atë dokument janë një numër intervenimesh të pakuptimta ekonomike.

Ideatorëve më duket se iu ka pëlqy ideja që shteti duhet të krijoj një fond të titulluar “Sovran” për të tregu se ne jemi shtet me fuqi diçka e ngjashme me Fondin slloven”, thotë Musa.

Ndryshe nga Qeveria, ekonomisti Musa mendon që në atë dokument ka shumë pak lidhje për një krijim të tregut të kapitalit në Kosovë.

Në parim unë do të isha për një fond i cili kishte meqenë diçka e ngjashme me fondet e garantimit të investimeve strategjike. Do me thënë, qeveria mundet të hyjë me jë fond i cili kushte me kriju mjete prej privatizimit”, thotë Musa.

Ndërkaq, në maj të vitit 2021, Qeveria ka shkarkuar bordin e kaluar të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) si hap të parë në procesin e mbylljes së saj.

Opozita kritikon shuarjen e AKP-së

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, Kryeministri Kurti e cilësonte shkarkimin e Bordit të AKP-së si të domosdoshme.

“Pse duhet të shuhet AKP, sepse duhet të ndërtohet fondi sovran. Për këtë jemi në qeverisje dhe për këtë kanë votuar qytetarët”, deklaronte Kurti.

Por, partitë opozitare kishin kundërshtuar mënyrën se si është duke u zhvilluar procesi i shuarjes së AKP-së nga Qeveria e Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, shuarja e AKP-së, do të duhej të procedohej nëpërmjet ligjit.

Ai thotë se ky proces si po bëhet nga Qeveria, do të krijojë probleme ligjore dhe do të shkaktojë dëme financiare.

Nuk mund të ndërrohet mandati i bordit aktual, kushdo qofshin ata që propozohen, pasi që mandati i tyre është i përcaktuar me ligj. Pra, mandatin e tyre nuk mund të ndërrojë kryeministri me e-maila”, ka thënë Tahiri.

Edhe shefi i Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi tha se për ta shuar AKP-në, duhet të ndryshohen të paktën dy ligje, përkatësisht Ligji për AKP-në dhe Ligji për dhomën e posaçme të Gjykatës së Apelit.

Për t’i ndërruar këto dy ligje duhet të dini diçka. Çka do të ndodh me këto 20 mijë raste. E për ta ditur se çfarë do të ndodh me këto raste duhet analizë, sepse ka shumë palë të përfshira. Për këto 20 mijë raste janë qindra miliona euro në pyetje, që mund t’i humbas Kosova”, thotë ai.

E Zgjim Hyseni, nga Partia Socialdemokrate, i tha Gazetës Nacionale se Fondi Sovran nuk është se do të hap ndonjë perspektivë mbi fushat e ekonomisë.

“Në anën tjetër, koncept-dokumenti nuk flet për një politikë që hap perspektivë mbi fushat e ekonomisë ku duhet orientuar Kosova. Ta zemë bujqësia, industria e rëndë, apo teknologjia: ku fokusohet Kosova? Deri tash, ai thjesht do të mënaxhojë asetet publike qe i menaxhonte Qeveria përmes bordeve, dhe do të bëjë përpjekje t'i valorizojë ato”, tha Hyseni.

Asetet e AKP-së dhe papunësia nga privatizimi

Vlerësohet se gjithsej, në të gjithë sektorët e ekonomisë, rreth 75,000 persona kanë mbetur të papunë si pasojë e privatizimit.

Këto asete në 116 valë të privatizimit janë shitur në vlerë prej rreth 760 milionë euro, kurse rreth 25 mijë lëndë janë në procese gjyqësore.

Kurdo që themelohet Fondi Sovran, në kuadër të tij do të përfshihen disa kompani që vlerësohen si asete strategjike shtetërore si Trepça, KEK-u, Telekomi e Posta.

Për këtë çështje, Bordi i ri i AKP-së, i emëruar në kohën e Qeverisë Kurti II, tanimë ka bërë evidentimin e aseteve, më të cilat do të menaxhojë Fondi Sovran.

Lajme të ngjashme