Kurti përzihet pak edhe në zgjedhjet e Zvicrës: Top-temë në mediat zvicerane, partitë e tjera kundër - NACIONALE

Kurti përzihet pak edhe në zgjedhjet e Zvicrës: Top-temë në mediat zvicerane, partitë e tjera kundër

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Pas Maqedonisë, është radha e Zvicrës. Por, jo për ndonjë vizitë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pritet që në shtator të përzihet pak edhe në zgjedhjet qendrore në Zvicër.

Kështu po shkruajnë sot mediat zvicerane “Aragauer Zeitung, Zofingertagblatt, Tagblatt etj.

“Në shtator, kreu i qeverisë kosovare, Albin Kurti, do të bëjë fushatë për PS-në në një paraqitje në Cyrih, ku në garë ka edhe shtetas kosovarë-zviceranë”, thuhet në artikull.

Theksohet se për këtë përfshirje të kryeministrit Kurti në fushatën elektorale, ka kritika nga partia më e madhe rivale në Zvicër SVP (Partia Popullore Zvicerane), e cila po ashtu është në garë për të marrë votat e qytetarëve zviceran-kosovarë, që kanë dy shtetësi.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Popullore Zvicerane(SVP) dhe Këshilltari Kombëtar Peter Keller, në anën tjetër e ka cilësuar si “plotësisht të gabuar” paraqitjen e planifikuar të kryeministrit Kurti në një fushatë zgjedhore në Zvicër.

Ai ka thënë se Zvicra nuk duhet të ndërhyjë në fushatat zgjedhore të vendeve të tjera dhe vendet tjera nuk duhet të ndërhyjnë në fushatën zgjehdore të Zvicrës.

“Zvicra nuk duhet të ndërhyjë në fushatat zgjedhore të vendeve të huaja dhe vendet e huaja nuk duhet të ndërhyjnë në fushatën zgjedhore zvicerane”, ka deklaruar ndër të tjera ai.

Në të njëjtën gazetë, “Aargauer Zeitung”, përveç artikullit, sot është botuar edhe një koment nga autori Jürg Ackermann. Ky i fundit ka thënë se aktivizimi i Kurtit, mund t’i nxisë shqiptarët të votojnë.

“Kushdo që voton, tregon se dëshiron të jetojë dhe ta ndihmojë shtëpinë tyre të re. Nuk ka një formë më të mirë të integrimit. Do të ishte një hap i mëtejshëm drejt një historie të vërtetë suksesi”, theksohet tutje në komentin e gazetës “Aargauer Zeitung” .

Angazhimin në fushatën elektorale për zgjedhjet e 22 tetorit, kryeministri Kurti e kishte paralajmëruar edhe në intervistën dhënë për gazetën “Blick” më 18 janar të këtij viti.

“Partitë tona i përkasin të njëjtës familje ideologjike”, kishte thënë gjatë intervistës kryeministri Kurti ndërsa kishte shtuar se “synimi është mbështetja e ndërsjellë në fushatën zgjedhore”.

Kryeministri Kurti gjatë intervistës së dhënë për gazetën Blick më 18 janar, kishte konfirmuar gjithashtu se është në raporte miqësore me bashkëpresidentin e Partisë Socialdemokrate, Cédric Wermuth.

“Cédric është një mik i mirë i imi. Partitë tona i përkasin të njëjtës familje ideologjike”, kishte deklaruar Kurti.

Kurti së fundmi u përzi në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, duke bërë një vizitë në Tetovë dhe duke mbështetur opozitën shqiptare atje. Kjo shkaktoi reagime të ashpra.

Kryeministri më herët ishte pëzrier edhe në zgjedhjet në Shqipëri, duke kandiduar me disa kandidatë në zgjedhje lokale në Tiranë.

Lajme të ngjashme