Kurti për kërkesën e Serbisë: Nuk kanë ku të vijnë në Kosovë ata ushtarë të gjorë serbë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për kërkesën e Serbisë për dërgimin e 1 mijë trupave në Kosovë, duke thënë se “nuk kanë ku të vijnë ushtarët e gjorë serbë”.
Këto komente, Kurti i bëri pas ceremonisë së fillimit të punimeve të fazës së dytë për rehabilitimin e linjës së 10-të hekurudhore Fushë Kosovë-Mitrovicë.
Ai ka thënë se kërkesa e Serbisë është joreale dhe se më shumë është shprehje e pafuqisë sesa fuqisë së tyre.
“Ata e kanë bërë një kërkesë KFOR-it me sa di, tash natyrisht ajo është një kërkesë jo reale e cila flet më shumë për ata sesa për vendin tonë, kurrë nuk ka pasur nevoje për ushtarë serbë në Republikën e Kosovës, kurrë nuk ka pasur nevojë për ushtarë serbë në shekullin e 20-të e as 19-të, tash kërkesa e tyre më shumë tregon se ata kanë ngelur në shekullin nëntëmbëdhjetë dhe njëzet. Me këto kërkesa ata po na e tregojnë neve që e dimë mirë se kush janë, se kush janë edhe për ata që kanë pas dilema se ata kush janë. Natyrisht që NATO do të jetë kundër e po ashtu edhe ata e kuptojnë shumë mirë se nuk kanë ku të vijnë në Kosovë ata ushtarë të gjorë serbë, të cilët këta pretendojnë se t’i sjellin në vendin tonë. Pra më shumë është shprehje e pafuqisë sesa fuqisë së tyre”, është shprehur Kurti, raporton KosovaPress.